Berisha: Kodi, një shans për Ramën dhe Metën
Kryeministri Berisha e cilësoi kthimin e Kodit në Kuvend nga ana e presidentit Topi, si një mundësi për gjetjen e një marrëveshjeje mes Ramës e Metës për çështjen e anëtarëve të administrimit të votave. Ky ka qenë reagimi i parë publik i Kryeministrit Berisha lidhur me dekretin e Presidentit, duke folur dy ditë më parë në emisionin "Log" në TVSH të gazetarit Artur Kopani. Kreu i qeverisë tha se, Presidenti Topi duhet të fliste hapur për këtë çështje. "Jo afate ligjore, por afate kushtetuese. Ky president dhe paraardhësit e tij nuk i kanë respektuar, siç ka qenë kryetari i Gjykatës së Lartë apo gjykatësit. Megjithatë, mund ta kthejë. Sikurse duhet të thotë haptas: e ktheva që mund të ketë një ujdi midis Edi Ramës dhe Ilir Metës. Në mënyrë absolute nuk jam kundër. Nuk them se ky është një pseudomotiv. Pati një grevë urie, 12 deputetë. Presidenti pati një prononcim dhe normal që duhej të prononcohej", u shpreh Berisha. Sipas Berishës, Topi ushtroi një të drejtë të tijën kushtetuese. "Kthimi i Kodit nuk do shkaktojë vonesa të zgjedhjeve. Mendoj se Parlamenti do ta shqyrtojë. Presidenti në këtë rast ka ushtruar një të drejtë kushtetuese të tij. Por mbetem i hapur, sinqeriteti është sinqeritet, transparenca ndaj publikut është transparencë. E ktheu me motivin se duheshin 9 muaj. U mbajt në Presidencë për t'u tejkaluar 9-muajshi. Se kur e mori, po ta dekretonte ishin fiks 9 muaj", u shpreh Berisha.