Presidenti Topi merr titullin “Kavalier”
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, u nderua dje pasdite me titullin ndërkombëtar "Kalorës për Paqen e Mijëvjeçarit" nga Bashkimi Ndërkombëtar i Paqes, fondacion i themeluar nga Prof. Xhanfranko Kosta në vitin 1978. Në këtë aktivitet të rëndësishëm të zhvilluar në qendrën e Milanos, merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të Bashkimit Ndërkombëtar të Paqes, autoritete të pushtetit vendor, ambasadori shqiptar Kola dhe konsulli Topallaj, personalitete të shquara të artit dhe kulturës si dhe shumë e shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Itali, me të cilët Presidenti Topi u përshëndet nga afër. Presidenti zhvilloi një takim edhe me kryetaren e Bashkisë së Milanos, Leticia Morati. Ajo vlerësoi vizitën e Topit si një tregues shumë të rëndësishëm të nivelit të jashtëzakonshëm dhe miqësisë së fortë dhe tradicionale mes dy popujve tanë. Presidenti Bamir Topi ka konfirmuar vizitën e tij sot në shtëpinë muze të piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra. Lajmi bëhet i ditur nga vetë kuratori i post-kubistit shqiptar, Fatos Faslliu, i cili shton se do ta njohë Presidentin shqiptar me veprat e Kodrës dhe shtëpinë ku jetoi dhe u nda nga jeta.