Meta: Do t’i kërkoj takim Ramës
Aristir Lumezi
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje se do t'i kërkojë një takim kryetarit socialist për garantimin e standardeve në zgjedhjet e ardhshme. "Unë do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t'u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t'i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t'u takuar dhe për t'i ndarë nga afër edhe njëherë këto principe me të", tha Meta. Këtë deklaratë kryetari i LSI-së e bëri gjatë një takimi me të rinjtë e LRI-së në qytetin e Burrelit, në rrethin e Matit. Ky qëndrim i LSI-së, sipas Metës, vjen sepse "si forcë tepër civile dhe e emancipuar, ne duhet të bëjmë përpjekjen tonë, pavarësisht se cili do të jetë reagimi i tyre. Sepse nuk bëhet fjalë për të mbrojtur thjesht votat e LSI-së. Të jeni të sigurt ju që nuk ka çfarë t'i bëjë njeri votave të LSI-së". Duke folur para të rinjve matjanë, kreu i LSI-së i bëri një analizë ngjarjeve të rëndësishme të ndodhura në vend, si ndryshimet në Kushtetutë dhe miratimi i Kodit të ri Zgjedhor. Meta u shpreh se, "në vend kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rënda". "E para është ndryshimi i themeleve të Kushtetutës në 21 prill të këtij viti. Një proces që u krye në errësirë dhe mungesë transparence, i cili praktikisht shkelmoi kolonat dhe themelet e shtetit tonë demokratik dhe evropian, të cilat ishin vendosur në mënyrë shumë transparente nëpërmjet referendumit të popullit shqiptar në vitin 1998. U bënë ndryshime të cilat goditën në zemër parlamentarizmin dhe principet e një republike parlamentare, dhe mbifuqizuan Kryeministrin, pra mbifuqizuan Berishën vetëm një muaj pas tragjedisë së Gërdecit", u shpreh Meta. Sipas tij, po kaq pa transparencë ndodhi dhe miratimi i Kodit të ri Zgjedhor. "Ju e dini shumë mirë se këto dy forca miratuan Kodin e ri Zgjedhor në mungesë të plotë të transparencës e të gjithëpërfshirjes, dhe njëkohësisht me një nxitim, i cili solli dhe probleme të Kodit në raport jo vetëm me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve, por edhe me Kushtetutën", tha Meta. Duke përshëndetur veprimin e Presidentit të Republikës për kthimin e Kodit Zgjedhor sërish në Kuvend, Meta tha se "kjo është arsyeja që Presidenti i Republikës, me përgjegjësi dhe maturi e ktheu Kodin në mënyrë që ai jo vetëm të përputhet me Kushtetutën e vendit, por dhe t'i jepet mundësi që të rishikohen ato çështje, të cilat me të drejtë janë kontestuar fuqishëm jo vetëm nga ne, por dhe nga shumë aktorë politikë brenda dhe jashtë vendit". Sipas tij, zgjedhjet nuk kanë qenë pronë as e një, as e dy dhe as e tri partive. Sepse zgjedhjet janë një moment vendimtar për të gjithë shqiptarët. Sepse zgjedhjet duhet të jenë të barabarta, duhet të jenë të lira dhe duhet të jenë të ndershme".