Berisha: Kohzgjatja e notit, ogur i bardhë për fitoren e zgjedhjeve në 2013-ën

Shefi i ekzekutivit përmirëson rekordin e tij personal në not, në brigjet e Jonit, duke e konfirmuar këtë qëndresë, si shenjën e triumfit të ardhshëm, të cilën e mirëpret çdo “marinar” i politikës
Kryeministri Sali Berisha kalon një fundjavë pushimi në bregdetin e Dhërmiut nën shoqërinë e mbesave dhe nipërve. I frymëzuar nga shpirti olimpik, Berisha vendosi dje një rekord të ri personal, 141 minuta not në ujërat e mrekullueshëm të detit Jon, kundrejt 132 minutave të një viti më parë.
Kryeministri filloi notimin në orën 9:10 dhe përfundoi në orën 11:31 minuta. Në një prononcim të tij pas thyerjes së rekordit personal në not, kryeministri u shpreh se, “zëri i detit Jon me tha se ky rekord i ri personal është një ogur i bardhe për fitoren e merituar të zgjedhjeve te 2013”.
Ndonëse ky rekord i ri është historik i Kryeministrit Berisha por ai beson se në gusht mund të shënojë një rekord tjetër të ri. Pushimi në Dhërmi gjatë sezonit veror për Kryeministrin Berisha është kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm.
Në vitin 2008, kryeministri Berisha ka qëndruar në ujë vetëm 120 minuta.
Në vitin 2009 e përmirësoi rekordin e tij duke qëndruar 123 minuta. Ndërsa në vitin 2010 ka qëndruar 127 minuta, duke u pasuar në vitin 2011 me 132 minuta, ndërkohë që, këtë vit ka qëndruar në det për 141 minuta.