Topalli-Doghmi: Bashkëpunim në fushën ekonomike

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Jordanisë ndërsa theksoi se do të intensifikohet bashkëpunimi mes dy vendeve edhe në fushën ekonomike.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Sh.T.Z. Abdulkarim Al Doghmi, Topalli falenderoi Jordaninë edhe për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në OKB.
“Kjo është një ditë historike pasi kjo është vizita e parë e një niveli të lartë politik nga Jordania që viziton Shqipërinë. Kjo vizitë do të bëjë të mundur nxitjen dhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare dhe politike si një mundësi për ti hapur rrugën zhvillimeve ekonomike mes dy vendeve, kulturore dhe rritjes së shkëmbimeve tregëtare” theksoi Topalli.
Nga ana e tij kreu i dhomës së përfaqësuesve të Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi e ka cilësuar si mbresëlënëse vizitën në Shqipëri. Ai ka theksuar se në të ardhmen do të ketë intensifikim të marrëdhënieve duke hedhur hapa konkretë në ato fusha që janë me interes të përbashkët.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Sh.T.Z. Abdulkarim Al Doghmi do të takohet me Presidentin Bujar Nishani me kryeministrin Sali Berisha si dhe me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti.