Me votën e 6 gushtit faktohet nëse pengmarrësit e opozitës pranojnë barazinë para ligjit
Mazhoranca sfidon miliarderët e grupit parlamentar socialist, të cilët po ripërdoren prej Edvinit, për interesat e axhendës së tij personale
Partia Demokratike u shpreh dje se duke votuar në 6 gusht për heqjen apo kufizimin e imunitetit, “këshilli i miliarderëve” të PS do të dëshmojë barazinë para ligjit; të dëshmojnë se nuk pranojnë pasurimin e paligjshëm të tyre duke grabitur troje e toka, duke fshehur me imunitet taksa dhe tatime, kafshatën e fukarenjve të këtij vendi; sikurse të dëshmojnë se nuk do mund të përdorin më imunitetin si mburojë për të mbuluar trafiqet kriminale apo për të përvetësuar pasuritë publike të vendit
Partia Socialiste duket në pozita të palëkundshme sa i takon heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë. Krahas qëndrimit politik të shprehur tashmë përmes lidershipit Edi Rama ka ardhur edhe një reagim nga të ashtuquajturit “pasanikët e grupit parlamentar socialist”, të cilët me gjasë janë shprehur të gatshëm për kufizimin apo heqjen e imunitetit, duke “rrëzuar” kësisoj akuzat e kryeministrit Berisha. Njëri prej tyre, super-miliarder, spekulon me faktin se është pa imunitet, ndërsa tjetri, i njohur në fushën e ndërtimtarisë thotë se nuk është miliarder, por thjesht milioner; e kështu me radhë lista e pasanikëve kufizohet në 4 deputetë që kanë pranuar të prononcohen rreth “pengmarrjes” që i kanë bërë nismës së mazhorancës (draft i hartuar në bashkëpunim me opozitën), për heqjen apo kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në përpjekje për të përcjellë qëndrimin zyrtar të Partisë Socialiste rreth çështjes së shumë diskutuar, një ndër kriteret bazë për marrjen e statusit të vendit kandidat, deputetët socialistë bënë rezymenë e stadeve bllokuese të lidershipit socialist, duke paralajmëruar mbajtjen në sirtarët e Kuvendit (ashtu sikurse u veprua me Gjykatën Administrative), draftin e imunitetit.
Ndërkohë, Partia Demokratike i bëri thirrje sërish dje, opozitës të votojë në 6 gusht për heqjen e imunitetit, si dëshmi e vullnetit të tyre se, askush nuk do mund të përdorë më imunitetin si mburojë për të mbuluar trafiqet kriminale apo për të përvetësuar pasuritë publike të vendit. Zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi deklaroi gjatë një konference për shtyp se grupi i pasanikëve socialistë, duhet të faktojë me votë në 6 gusht se janë vërtetë “pro” mburojës së imunitetit.
“Mediat njoftuan se klubi i miliarderëve të Partisë Socialiste shpalli se nuk janë ata që nuk lejojnë Ramën për të mos votuar heqjen apo kufizimin e imunitetit më datë 6 Gusht. Nëse kjo deklaratë është e vërtetë dhe “Jo” bizantinizmi i radhës së kryetarit të tyre, kjo do të faktohet me votën e këtyre zotërinjve më datë 6 Gusht, datë në të cilën këta deputetë në një votim historik kanë fatin e madh t’ju faktojnë zgjedhësve të tyre socialistë të thjeshtë se barazia para ligjit e të gjithë qytetarëve të këtij vendi është parimi universal që ata pranojnë plotësisht”- u shpreh ajo.
Zëdhënësja e selisë blu theksoi se, duke votuar për heqjen e imunitetit të tyre dhe të të gjithë imunitarëve të tjerë të vendit, zotërinjtë miliarderë në krye të Partisë Socialiste dëshmojnë se nuk pranojnë pasurimin e paligjshëm të tyre duke grabitur troje e toka, duke fshehur me imunitet taksa dhe tatime, kafshatën e fukarenjve të këtij vendi.
“Duke votuar me 6 gusht për heqjen apo kufizimin e imunitetit këta zotërinj do të dëshmojnë vullnetin e tyre se askush nuk do mund të përdorë më imunitetin si mburojë për të mbuluar trafiqet kriminale apo përvetësuar pasuritë publike të vendit.
Duke votuar më datë 6 gusht për heqjen e imunitetit ata votojnë për shembjen e murit të korrupsionit, mur që mjeron gjithnjë e më shumë të varfrit, të papunët e këtij vendi.
Duke pranuar, si ç’deklarojnë sot se janë të gatshëm për heqjen e imunitetit, ata kanë rastin të faktojnë me votën e tyre më 6 Gusht se pavarësisht nga akuzat e përditshme të kolegëve të grupin të tyre socialist dhe Jo vetëm të tyre për pasurim të paligjshëm, ata nuk kanë frikë nga pasuritë e tyre dhe nuk duan, nuk kanë nevojë për vellon e imunitetit për to”- deklaroi ajo.
Gjithashtu, Partia Demokratike fton z. Rama të lejojë deputetët e tij që të votojnë më datë 6 Gusht për heqjen apo kufizimin e imunitetit si dëshmi e vullnetit të qartë për të shembur murin e korrupsionit, për të mos bllokuar rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një provë që z.Rama dhe partia e tij pranojnë barazinë para ligjit e qytetarëve shqiptarë.