Tritan Shehu: “Opozita s’jep konsensusin – imuniteti, i “djegur”

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu artikulon qartë mundësinë që mazhoranca të tërhiqet nga seanca e 6 gushtit. Sipas tij, nëse hidhet në votim, pa pasur më parë të garantuara votat e opozitës, imuniteti digjet të paktën për 1 vit, por nëse shtyhet, palët mund t’i rikthehen sërish sesionin tjetër. “Nuk mund të kalojnë, është e qartë. Mazhoranca me gjithë vullnetin që ka, me gjithë përpjekjet që ka bërë që nga 2003-i, me gjithë kompromisin që bëri me PS, duke ia lënë asaj shumicën dërrmuese të problemeve të vendosura në ligj siç i donte, nuk mund të bëjë më tepër sepse kërkohen dhe votat e opozitës për t’i kaluar. Nëse ligji kalon, futet në proces votimi, votohet dhe nuk fiton pastaj në bazë të ligjeve tona mund të rivotohet vetëm pas një viti, sepse është ligj kushtetues. Nëqoftëse nuk futet fare në proces votimi është tjetër gjë. Është një problem teknik, që nuk e di, që do të zgjidhet hap pas hapi”, deklaroi Shehu.
Deputeti demokrat njofton gjithashtu se së shpejti do të mblidhet konferenca e kryetarëve të grupeve për të përcaktuar afatet se kur do të nisë shqyrtimi i amendamenteve të tjera kushtetuese të PS-së, konkretisht atyre që përcaktojnë zgjedhjen me 84 vota të gjyqtarëve të lartë, kushtetues dhe prokurorit të përgjithshëm.
Ndërkaq pak ditë më parë në një intervistë për gazetën “55”, deputeti demokrat, Tritan Shehu deklaroi se qëndrimi i Partisë Socialiste nuk mund të lexohet pa patur parasysh agjendën konfliktuale të opozitës në vitet e mëparshme. “Qëndrimi i opozitës që po mbahet në këtë periudhë nuk mund të gjykohet i ndarë me qëndrimet politike të opozitës që nga 2009 e këtej. Ne mund të shikojmë qartësisht që nga 2009 se kemi një opozitë që ndaj institucioneve dhe arritjeve shqiptare, jo radhë ka devijuar nga boshti demokratik dhe boshti ideologjik i një opozite. Kjo opozitë ka nisur luftë politike pas 2009 me bojkot duke shkuar në ekstrem deri në sulme ndaj institucioneve dhe për t’i pushtuar ato, duke shkuar tek bllokimi i rrugëve apo çadrat në bulevard, çka çoi në politika bllokuese të vendit, të reformave që lidheshin me votimin me 3/5. Pra, mendoj se në këtë mënyrë opozita gjatë kësaj periudhe ka pasur një qëndrim politik ambig (dyzim), jo të qartë e jo demokratik, që merr ngjyra apo nuance të thella revolucionare, që padyshim bie ndesh me një opozitë demokratike. Kjo opozitë në këtë periudhë ka pasur oshilacione dhe kthimi i saj në institucione dhe parlament gjithmonë ka pasur qëndrime jo të qarta dhe disa herë bllokuese në miratimin e atyre ligjeve që kërkojnë edhe votat e opozitës. Them se gjatë kësaj periudhe opozita në planin parlamentar ka bërë një gabim të madh e të rëndë, për bllokimin që i bëri për shembull Gjykatës Administrative, duke iu kundërvënë në këtë mënyrë interesave të vendit dhe drejtësisë shqiptare, duke dalë kundër rekomandimeve të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Uashingtonit për këtë çështje. Pra, opozita ka pasur oshilacionet e saj dhe qëndrimet e opozitës së sotme janë në vazhdimësi të kësaj politike kaotike që ka liderishipi i PS-së. pa dyshim, në këtë mënyrë kjo opozitë është bërë pengesë e procesit të integrimit, pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat, është bërë pengesë për ato elementë që i kërkohen Shqipërisë, por që duhet dhe bashkëpunim i opozitës. Ne e kaluam momentin e liberalizimit të vizave sepse qe një proces teknik, ku maxhoranca me reformat që ndërmori e bëri të mundur këtë gjë. Ndërsa kur është kërkuar vota opozita kemi pasur pengesa e vonesa. Dhe në kë prizëm mund të lexohet qëndrimi i opozitës. Opozita politikisht është ambige (e dyzuar) sepse para dy muajsh z. Rama dilte e thoshte pse nuk hiqet imuniteti dhe kur vjen drafti ligjor që nuk është vetëm i PD, por edhe i strukturave ndërkombëtare që e kanë përgatitur kërkon ta sabotojë, ta bllokojë, të bëjë një politikë destruktive duke nxjerrë 101 e një arsye të tjera”- pati theksuar deputeti Shehu.