Berisha: Komision ndërqeveritar kundër gripit
Krijohet komisioni ndërqeveritar për të marrë të gjitha masat kundër gripit të derrave. Kryeministri i vendit Sali Berisha pohoi gjithçka gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje. “Sot do të ngremë komisionin për të qenë të përgatitur ndaj kësaj sëmundjeje infektive, e cila po ecën drejt përmasave të pandemisë, me të dhëna kontradiktore, në disa vende me forma shumë virulente dhe në disa të tjera më pak virulente”, tha Berisha. Sipas tij, komisioni ndërqeveritar do të jetë gati edhe për çdo eventualitet”. P.sh., në rast se shqiptarët mund të kenë qenë në Meksikë, sepse rastet nga kanë ardhur kanë qenë vizitorë në Meksikë. Ne po e marrim me shumë seriozitet dhe absolutisht asnjë vend nuk është imun nga kjo sëmundje. Ne do të marrim të gjitha masat dhe disponojmë të gjitha mjetet për të marrë masat e nevojshme, financiare, medikale”, tha Kryeministri. Ndërkaq që prej disa ditësh janë vënë në dispozicion të qytetarëve numrat telefonikë për çdo urgjencë si 2374756, 0682414332 dhe 0693087781. Ndërkohë, Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë ka nisur gjithashtu shpërndarjen e fletëpalosjeve për informimin e nxënësve në shkollat publike dhe private. Gjithashtu, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shërbimit të Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit në DSHP, udhëzohen banorët të respektojnë rregullat e higjienës personale.