“Kemi 3000 doza ilaçesh”
zirina llambro
“Jemi të përgatitur për një hyrje të mundshme të gripit të derrave në vendin tonë. Me medikamentet “Tamiflu”, që kemi stok mund të trajtojmë fillimisht deri në 3000 persona”. Këtë deklaratë bëri dje drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Sipas tij, pas rezultateve negative të një rasti të dyshuar nuk ka ende një të dytë. “Lidhur me survejancën e rritur në kufi, jemi duke filluar të aplikojmë survejancën aktive dhe po marrim mostra pranë spitaleve për të parë se mos rastësisht dhe në Shqipëri ka hyrë në mënyrë të fshehtë gripi”, tha Ylli. Sipas tij, grupi i ekspertëve po punon mbi detajet e planit të emergjencës, duke u përgatitur për vendimet që do të duhet të merren, në rast se pandemia kalon në fazën e 6. “Informacionet nga terreni janë të përditshme, ndërsa edhe lajmet e orëve te fundit nga bota nuk janë shqetësuese për momentin”, tha ai. Sa i përket afati të skadencës për medikamentin antigrip “Tamiflu”, Ylli sqaroi se janë brenda këtij afati. Ai shtoi se strukturat e shëndetësisë kanë mbështetjen edhe të kompanive private për të sjellë sasi të tjera në rast nevoje. “E theksoj se çdo rast gripi duhet të raportohet dhe duhet të trajtohet sikur të kemi të bëjmë me gripin e derrave. Kjo është mënyra më e mirë për të qenë në korrent të gjithë situatës”, tha drejtori i ISHP. Ai shtoi se për të gjithë personat që shfaqin simptoma të gripit, rekomandohet regjim shtrati dhe izolim nga të tjerët për disa ditë. Veç kësaj kryerje e menjëhershme të vizitave te mjeku, përdorimi i lëngjeve me shumicë, si dhe ushqime të pasura me kalori dhe vitamina.
Poliklinikat
Por edhe pse specialistë të Institutit të Shëndetit Publik pranojnë se jemi vetëm disa orë larg pandemisë u bëjnë apel qendrave shëndetësore të rrisin gatishmërinë, kjo gjë nuk ka ndodhur. Në pjesën më të madhe të tyre mungojnë maskat, dorezat dhe gjithçka tjetër e nevojshme në rast të shfaqjes së virusit. Nga një vëzhgim i kryer në Tiranë vetëm dy poliklinika ishin të pajisura me bluza të bardha që kishin doreza dhe maska të përdorimit të përditshëm. Drejtuesit e ISHP-së sqarojnë se maskat për parandalimin e gripit të derrave janë posaçme dhe nuk kanë të bëjnë me maskat e kirurgjisë. Sipas tyre, ka nisur shpërndarja e tyre nga Drejtoritë e Shëndetit Publik. Ndërkaq, dje në Ministrinë e Shëndetësisë është mbledhur sërish Komiteti i Ekspertëve, të cilët deklarojnë se vazhdojmë të qëndrojmë në nivelin e 5 të alarmit të pandemisë. Ky dikaster ka përgatitur dhe shpërndarë për popullatën materiale informuese mbi gripin e derrave, simptomat dhe masat që duhen marrë për parandalimin e virusit A-H1N1. Materialet janë shpërndarë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, si dhe pikat kufitare të tjera, por dhe në institucione publike dhe private.
Gripi i derrave
Simptomat
Temperatura: Rritet shpejt duke kaluar të 38 gradët
Frymëmarrja: Të kollitur, teshtima, ftohje dhe vështirësi në frymëmarrje, janë shenja që manifestohen në shumicën e rasteve
Sytë: Skuqje e syve është një nga simptomat kryesore të gripit të derrave
Kockat dhe muskujt: Dhimbje kockash, muskujsh dhe ndjesi dobësie e këputje
Barku: Mungesë oreksi, të vjella dhe diarre janë të tjera simptoma
Kurat
Medikamente antiviralë: Dy tipa medikamentesh (Tamiflu dhe Relenza), janë efikasë në mposhtjen e gripit të derrave.
Vaksinat: Virusi është i izoluar dhe është e mundur që brenda një harku të shkurtër kohor, brenda disa muajsh të prodhohet një vaksinë, pasi deri tani nuk ka.
Meksika, ‘luftë’ kundër gripit
Rriten rastet në Meksikë, vetëm dje numri i të prekurve shtohet me 40. Sipas të dhënave të autoriteteve meksikane numri i të prekurve të konfirmuar në vend është 343. Autoritetet meksikane nisën dje një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e gripit të derrave. Në qytetin Meksiko, shumë dyqane, restorante dhe bare janë mbyllur për një periudhë pesë ditore. Nëpunësve zyrtarë u është bërë thirrje të qëndrojnë në shtëpi deri të martën. Të gjitha shkollat janë mbyllur. Masat po merren në një kohë kur Ministria meksikane e Shëndetit ka shpresa se përhapja e epidemisë në vend mund të stabilizohet. Ministri i Shëndetësisë, Jose Angel Cordova thotë se fluksi i personave të shtruar në spital me simptomat e gripit të rëndë, ka rënë ndjeshëm. Ndërkohë Banka Interamerikane e Zhvillimit ka derdhur 3 miliardë dollarë për Meksikën, si ndihmë për luftën kundër gripit të derrave dhe krizës ekonomike.