E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përgënjeshtron dyshimet e Marrëveshjes me Greqinë pa dhënë detaje

Kryeministri sulmon mediat për trillim, nuk sqaron Marrëveshjen. Kreu i qeverisë: “Kam diskutuar me Karamanlisin për çështjen çame”

Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha ka përgënjeshtruar dje, gjatë një konference për shtyp, dyshimet se qeveria shqiptare i ka dhënë qeverisë greke sipërfaqe detare, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar pak ditë më parë në Shqipëri, gjatë vizitës së kryeministrit grek, Karamanlis. Ndërkohë që ka hedhur poshtë pretendimin e gazetarëve, por dhe të opozitës, kryeministri ka gjetur rastin të sulmojë mediat, duke mos dhënë sqarime mbi marrëveshjen, e cila ende nuk është bërë publike nga qeveria. Deklarata e djeshme e kryeministrit Berisha jo vetëm që nuk bëri transparencë mbi debatin për kufijtë detarë të Shqipërisë, por rriti më tej konfuzionin për këtë çështje. Pavarësisht përgënjeshtrimeve, qeveria vazhdon ta mbajë ende të fshehur marrëveshjen me Greqinë. Për këtë marrëveshje nuk janë në dijeni as deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Deklarata
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp gazetarët kanë kërkuar që kryeministri Berisha të japë garanci se marrëveshja me Greqinë nuk e cenon integritetin territorial të vendit tonë edhe pse ajo është hartuar mbi një hartë greke. Kryeministri i ka cilësuar trillime dyshimet e medias, ndërsa e ka akuzuar atë për punë antikombëtare. “Kjo që thoni ju është një trillim, i bazuar në gënjeshtër. Problemi është se kjo qeveri punon për vendin e vet, ndërsa ju punoni në mënyrë konsistente kundër vendit tuaj. Në mënyrë absolute pala shqiptare ka përdorur hartën e marinës së Republikës së Shqipërisë. Së dyti, është përdorur Konventa Ndërkombëtare e Detit, e sugjeruar kjo nga miqtë tanë më të mirë, si dokument bazë për zgjidhjen e problemit. Se kush ju jep juve si media një grusht parash për të shpifur, trilluar dhe keqinformuar shqiptarët se është përdorur për bazë harta greke, kjo është punë e juaja, por nuk bëni mirë. Aty ka një hartë shqiptare dhe nëse jeni të interesuar, shkoni te Flota dhe merrni hartën. Dhe harta shqiptare, ju garantoj se nuk është hartë greke”, - është shprehur Berisha, duke mos dhënë detaje se çfarë parashikon kjo marrëveshje, e cila vazhdon të mbetet e fshehtë për pushtetin e katërt dhe për publikun. Gjatë fjalës së tij Berisha e ka quajtur trillim të medias faktin se ai nuk ka biseduar me kryeministrin grek, Karamanlis, për çështjen çame. Kryeministri Berisha është shprehur se ka diskutuar për këtë çështje me homologun grek, ndërkohë që asgjë nuk është bërë në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje, që implikon interesat e një komuniteti të gjerë. “Deklarata ime ka qenë pak më ndryshe dhe unë po jua rikujtoj. Mes fqinjëve gjithnjë krijohen probleme për t’u zgjidhur. Ajo që është shumë e rëndësishme është se midis dy vendeve tona ekziston një frymë dialogu për t’iu dhënë zgjidhje atyre. Meqenëse sërish mediat që punojnë kundër vendit të tyre vrapuan të thonë se Berisha nuk e diskutoi problemin, po ju them se unë e diskutova problemin dhe e diskutoj atë në çdo takim, pasi unë jam bashkëfirmëtar i atij traktati, i cili, për hir të së vërtetës, ka kthjelluar dhe vendosur shumë gjëra në interesin më të mirë të të dyja vendeve dhe unë as që e konceptoj të mos i qëndroj Traktatit që kemi firmosur. Por dihet që pala tjetër ka mendimet e veta, ne kemi tonat”, -është shprehur Berisha.
Ai ka komentuar dhe rihapjen e procesit gjyqësor ndaj ministrit Basha, duke u shprehur me humor se “armiqtë e rrugës Durrës-Kukës do ta marrin përgjigjen e merituar kur kjo rrugë të përfundojë”.
Aplikimi
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kryeministri e ka vënë theksin në aplikimin e qeverisë shqiptare për statusin e vendin kandidat në BE. Ai është shprehur se aplikimi nuk është bërë për interesa elektorale të qeverisë shqiptare, por ka ardhur si rezultat i konsultimin me qeveritë anëtare të BE-së, si dhe me Komisionin Europian.
“Mbrëmë u ktheva nga një vizitë, në të cilën i paraqita kryetarit të radhës së Bashkimit Europian, kryeministrit të Republikës Çeke, kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo kërkesë, e miratuar konsensualisht, siç janë edhe rregullat e funksionimit të BE-së për këto raste, u bë pas suksesit spektakolar të reformave të qeverisë që unë drejtoj. Kërkesa u mirëprit nga presidenca çeke, nga kryeministri Topolanek, i cili më garantoi për mbështetje të plotë në rrugën e mëtejshme nga ai dhe qeveria e tij”, - është shprehur Berisha.

PDK: Presidenti të rishqyrtojë Marrëveshjen me Greqinë

Partia Demokristiane i ka bërë thirrje dje Presidentit të Republikës që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të shqyrtuar Marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria shqiptare me qeverinë greke. Gjatë një konference për shtyp, nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja, është shprehur se “Marrëveshja është jotransparente, e nxituar dhe vë në pikëpyetje integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”. Sipas tij, marrëveshja duhej të shqyrtohej në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku të raportohej me hollësi nga Komisioni i Ekspertëve për metodologjinë e zgjedhur, hartat dhe teknologjinë e përdorur. “PDK-ja i kërkon Presidentit të Republikws, si garant i Kushtetutës, të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të marrë në analizë Marrëveshjen e nënshkruar nga ministrat e Jashtëm respektivw, Basha - Bakojanis, dhe të shqyrtojë ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje dhe të verifikojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, - është shprehur Beja.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›