Hapet konkursi “Bota e Ndryshimit”
Për të dytin vit radhazi është prezantuar programi “Bota e Ndryshimit”. Vetëm pak ditë më parë është shpallur i hapur nga Fondacioni Vodafone Albania, konkursi “Bota e Ndryshimit” 2009. Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij Fondacionit, Albi Greva “Bota e Ndryshimit” u dedikohet njerëzve në nevojë, shqetësimeve e problemeve të tyre. Ky program ka fuqinë e inkurajimit dhe eksplorimit të ideve më të mira mes njerëzve për të evidentuar, njohur dhe ndihmuar zgjidhjen e problemeve. “Emri i këtij programi nuk është shqiptar dhe nuk është destinuar t’i shërbejë një komuniteti të vetëm. Ai është tepër global. Sot në 13 vende të ndryshme ku ushtrojnë aktivitetin e tyre fondacionet Vodafone, janë në zbatim 52 projekte të ndryshme në kuadrin e këtij programi. Secili prej tyre po sjell një “Botë të Ndryshuar” për një grup njerëzish apo një komunitet të caktuar. Por, përgjithësisht, mendoj se ndryshimi është domosdoshmëri dhe duhet lexuar kështu nga secili prej nesh”, është shprehur ai. Fituesit e parë të programit “Bota e Ndryshimit” për 2008-‘09 në Shqipëri janë dy. Ata janë ende të përfshirë intensivisht në punën dhe kanë përpara jo vetëm sfidën e realizimit të këtij ndryshimi, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë e fillimit të suksesshëm të historisë së këtij programi. “Enida, nëpërmjet projektit të saj të mbështetur nga organizata “Prospekt” po punon për të ofruar shërbime sociale për fëmijët e zonës më problematike e me pasoja të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit; ndërsa Enedi po punon me vullnetarët dhe aktivistët e organizatës “PASS” për të vendosur një kulturë mjedisore mes banorëve të kryeqytetit si dhe kontribut për mjedis më të pastër në lagjet e tij me problematike”, shprehet ai. Ndërkohë sipas drejtorit ekzekutiv të këtij programi prej dy javësh ata kanë njoftuar hapjen e konkursit të këtij viti dhe shpresojnë shumë, që ky vit t’u sjellë të tjera ide e propozime të reja për ndryshime akoma edhe më sfiduese. Aplikanti i programit “Bota e Ndryshimit” mund të jetë çdo qytetar shqiptar, që zotëron mirë gjuhën angleze. Personat e interesuar duhet të paraqesin projekt-propozimin e tij/saj si dhe formën e aplikimit, instruksionet e nevojshme për aplikim jepen në rubrikën “Financimi”.