Media, kryeministri dhe Pinoku
Gjatë ditëve të fundit ka plasur debati në disa media se qeveria ka shitur copë të territorit të saj te Greqia. Ndërkaq, vetë kryeministri Berisha ka zgjedhur rrugën më të shkurtër dhe po gjen armiq dhe tradhtarë të kombit në radhët e medias. Para se të shtrohet zgjidhja, e cila, realisht, nuk ka nevojë të komplikohet, por është e thjeshtë, qoftë për median, qoftë edhe për opinionin, duhet thënë se Marrëveshja për Shelfin Kontinental ka disa vite që është shtruar për diskutim mes Tiranës zyrtare dhe Athinës. Më 19 mars të këtij viti dokumenti u siglua nga përfaqësuesit e ministrive të jashtme të dy vendeve. Zyrtarisht, selia e Diplomacisë shqiptare u mjaftua me një njoftim për publikun, të formuluar në mënyrë disi të vështirë për t’u kuptuar, duke përdorur terma profesionalw të së drejtës ndërkombëtare dhe konventave të OKB-së.
Gazeta “Albania” e hapi e para çështjen më datë 23 qershor, duke bërë një shkrim në të cilin hidheshin dyshime për “falje” territoresh shtetit fqinj. Kjo bazohej jo më shumë te njoftimi në faqen zyrtare të Ministrisë tonë të Jashtme, por te deklaratat entuziaste të kryeministrit grek, Kostas Karamanlis dhe të zyrtarëve të lartë në Athinë, të cilët e konsideruan këtë rast si një nga arritjet më të mëdha të synimeve strategjike të vendit të tyre. Megjithëse gazeta dha sinjalin për një marrëveshje të tillë, qeveria nuk reagoi fare për të dhënë sqarime, deri ditën që në Tiranë erdhi kreu i qeverisë greke dhe u firmos Marrëveshja mes dy palëve. Që nga ajo ditë dhe deri sot ka plasur debati i madh se Berisha u fali grekëve copë nga deti i Shqipërisë. Në anën tjetër, qeveria nxjerr çdo ditë njoftime apo organizon konferenca shtypi, që hedhin poshtë atë që shkruajnë mediat për Marrëveshjen e Shelfit Kontinental. Sigurisht, media ka të drejtë që të informojë, por edhe të hamendësojë, sidomos në rastet kur qeveria dhe zyrtarët e saj nuk tregohen transparentë me të apo me publikun rreth marrëveshjeve, vendimeve apo kontratave që bën në aktivitetin e saj të përditshëm. Ndonëse Berisha i vitit 2005 kishte premtuar një transparencë maksimale me gazetarët, tani, që është në fundin e mandatit të tij, është bërë një kopjac i rëndomtë i strategjisë që përdori Nano me gazetat dhe televizionet deri në vitin 2005. Skemat e dosjeve dhe pazareve të heshtura, në njërën anë, në anën tjetër heshtja, apo në rastin më të keq, denigrimi i medias, tregojnë se kreu i qeverisë ka vendosur për ta shpërfillur dhe denigruar median. Berisha mund ta zgjidhë shumë mirë problemin me mediat, që e denoncojnë për shitje territoresh, apo abuzime me tenderat, duke mos iu dhënë mundësi atyre që të lëshojnë lajme të kriposura; ajo le të bëjë aktin më formal dhe më të thjeshtë; - të publikojë marrëveshjet dhe kontratat që firmosen në selinë e Këshillit të Ministrave, apo të gjitha institucionet e këtij pushteti. Përderisa vetë Berisha nuk e bën një gjë të tillë, atëherë media është e detyruar, qoftë edhe nga halli, të tregohet si Pinoku, jo duke mashtruar, por duke rënë në grackën e hamendësimit për shkak të mungesës së aksesit për informim sipas ligjit. Por, realisht, Pinoku i vërtetë në këtë mesele është vetë kryeministri, i cili jo vetëm nuk tregohet transparent në vendimet që ndërmerr, jo vetëm nuk mban premtimet që ka bërë, por edhe denigron dhe i dhunon publikisht përfaqësuesit e medias, duke mos ndjekur rrugën që thotë ligji.
Redaksionale
2 Maj 2009