E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Rama nuk ka një exit-strategji nga bojkoti

Edi Rama nuk ka një strategji për të dalë nga qorrsokaku i bojkotit parlamentar. Këtë konstatim e bëri deputeti Arben Malaj, ndërkohë që në të vërtetë asnjë strategji reale nuk është dhënë nga Rama dhe njerëzit e tij për këtë situatë përveç faktit që bojkoti do të vazhdojë në pafundësi. Në mbledhjen e djeshme të asamblesë, ashtu si Ben Blushi dhe deputeti i Vlorës, Arben Malaj, ka qenë mjaft kritik dhe ka kërkuar mbledhje të të gjitha forumeve për të rimarrë në shqyrtim çështjen e bojkotit. “Për një forcë politike kaq të madhe, për një forcë politike që ka qeverisur këtë vend, është e papranueshme që kur fillon një aksion politik të mos ketë një exit-strategji, që nënkupton një strategji të suksesshme, jo një pazar të minutave të fundit. Përgjigjja juaj z. Rama ka qenë e mbetet konstante: Ne nuk duhet të kemi exit-strategji, ajo është përgjegjësi e Berishës”, - u shpreh Malaj, duke iu drejtuar kryetarit të partisë. Ndërsa lidhur me debatin për mandatet, Malaj nuk ka kaluar në heshtje disa diversione të Ramës se gjoja Berisha po i blen deputetët. “Nuk shqetësohem aspak nga diversioni se cilin nga ne ka blerë Berisha, nëse disa nga në shkojnë në Parlament. Për mua ishte shqetësuese shitja që është bërë për të ndryshuar Kushtetutën brenda dy orësh, është e qartë që ka qenë marrëveshje midis dy kryetareve të dy partive të mëdha politike, duke dëmtuar rëndë sistemin e kontrollit dhe të balancës midis tre pushteteve, duke dëmtuar rëndë demokracinë funksionale”, - ka deklaruar Malaj duke i kujtuar Ramës marrëveshjen më të rëndësishme që ka bërë me Berishën. Ndërkaq Malaj ka ngritur dhe shqetësimin për largimin e mediave në momentin e debateve partiake. Ai sqaroi se “ne ju kemi deklaruar kolegëve tanë, që nuk jemi në një protagonizëm personal, por në një ftesë të përhershme dashamirëse dhe vëllazërore për të gjetur një zgjidhje për situatën politike në të cilën ndodhet vendi ynë dhe PS-ja. PS dhe në forumet e saj nuk mund ta fshehin, nuk mund ta spostojnë dhe nuk mund ta zbukurojnë realitetin politik ku ndodhemi. Jemi forca më e madhe politike opozitare, jemi jashtë Parlamentit të vendit, jemi jashtë kontributeve tona të drejtpërdrejta politike”. Ndërkaq ai e ka konsideruar të dëmshëm euforinë që vjen nga mitingjet. Ndërsa për faktin që mandatet skadojnë sipas Kushtetutës më datë 7 mars, Malaj ka thënë se për këtë nuk duhen të bëhen sofizma duke aluduar për deklaratat e Ramës, i cili thotë se mandatet nuk digjen as pas kësaj date. “Për zgjidhjen kushtetuese të vlefshmërisë së mandateve, ne duhet të qartësojmë veprimin tonë politik, dhe jo të bëjmë sofizma me hapësirat ligjore. Nëse ju doni, për të qenë besnik i partisë, unë nesër mund të gjej një avokat dhe të atakoj në Gjykatën Kushtetuese letrën e znj. Topalli se më 7 mars kam humbur mandatin si deputet, sepse po bojkotoj Parlamentin në respekt të një vendimi partiak. Por nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese e konsideron të drejtë faktin që çdo deputet, pavarësisht nga arsyeja konkrete, nuk ka bërë betim dhe ka munguar mbi 6 muaj në Parlament e humbet mandatin, atëherë pasojat janë të rënda për suksesin politik dhe efikasitetin e veprimeve politike të PS-së jashtë Parlamentit”, - tha Malaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›