Grupi socialist, drejt ndarjes
Ndarja e grupit parlamentar socialist, i cili akoma nuk është konstituuar në Parlament, duket se është më reale se kurrë. Pothuajse 4 deputetë që përfaqësojnë mendimin ndryshe në parti kanë deklaruar tashmë zyrtarisht se do të thyejnë bojkotin e gjatë. Por ata po punojnë që të bindin dhe kolegët e tyre, të cilët për inerci i binden një vendimi të marrë që në shtator dhe të pashtruar për diskutim për herë të dytë. Ben Blushi, deputeti i Korçës dhe një nga figurat më me peshë në PS, e bëri të qartë vendimin e tij dje para kryetarit të partisë, Edi Rama dhe forumit të lartë, duke vënë madje dhe afatin e fillimit të marsit për të hyrë në Kuvend. Sigurisht para tij këtë deklaratë e kanë bërë Kastriot Islami, Marko Bello dhe Andis Harasani, të gjithë deputetë të vjetër dhe me histori në këtë parti. Por ajo që ata shpresojnë është që të fitojnë dhe zemrat e kolegëve të tyre me të cilët ndajnë si duket të njëjtin mendim në prapaskenë, por nga të cilët akoma nuk ka lëvizje të dukshme për të dalë kundër bojkotit. Marko Bello thotë se shumë deputetë të tjerë që po i binden bojkotit të vendosur nga Rama nuk duan të humbasin mandatet e tyre, që i morën nga zgjedhësit në qershor. “Edhe pjesa tjetër e grupit po vjen ngadalë në mbështetje të qëndrimit tonë për të hyrë në Kuvend, sepse ka vetëm një rrugë me një kalim, s’ka rrugëdalje tjetër”, - tha Bello për “standard”.