E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati brenda në asamble

Blushi – Njëri këtu foli për telenovela, këto s’janë telenovela, këto janë gjëra serioze që kanë të bëjnë me izolimin e partisë. Unë kërkoj një bilanc, kemi dështuar. Provuam një herë izolimin dhe po e provojmë prapë, jemi izoluar si në kohën e Enver Hoxhës. Ai që flet për telenovela i ngjan një reklame midis dy filmave. Unë u bëj thirrje kolegëve, që të reflektojnë dhe të hyjnë në Kuvend, afati i im i fundit është në javën e parë të marsit, sepse mbi lirinë time nuk vendos asgjë. Kërkoj që të bëhet një mbledhje e posaçme për të marrë vendim për këtë çështje.

Rama: Dikush këtu foli për liri, por duhet të dimë se liria e gjithsecilit mbaron kur fillon liria e tjetrit. Ne përveç lirisë kemi dhe detyrime dhe detyrohemi të respektojmë vendimet e qëndrimet e shumicës. Këto diskutime po heqin fokusin nga analiza e përmbytjes së Shkodrës në një debat përmbysës brenda PS-së. Jam dakord për një mbledhje tjetër asambleje, e hedhim në votë.

Ilir Zela: Bojkoti është absurd dhe ka dështuar, kjo duket qartë. Mos i shihni si armiq ata që kërkojnë të kthehen në Kuvend, sepse kështu po e përçani partinë. Ne jemi djegur nga një ndarje dhe në vend që t’u bëjmë thirrje atyre që kanë ikur që të kthehen krijojmë ndarje të reja.

Arben Malaj: Duke respektuar krahasimin e përzgjedhur nga Rama, dëshiroj të qartësoj se pikërisht përmbytjet mund të ndalen vetëm nga përdorimi i mirë i digave. Digat e një force politike që duhet të maksimizojnë këtë energji, është kryesia e partisë, është grupi parlamentar dhe Asambleja Kombëtare. Mospërdorimi i tyre sjell keqpërdorimin e energjive dhe rrezikon përmbytje të cilat në këtë rast përmbysin shpresat dhe përkushtimin e anëtarësisë dhe mbështetësve të PS-së. PS duhet të mirëkuptojë shqetësimin e ngritur nga kolegët Blushi dhe Zela për nevojën e një analize për sfidat tona në vitin 2010 dhe për një rrugëdalje nga bojkoti i institucioneve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›