E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Korridori 8, qeveritë e rajonit përballojnë projektin

Itali-Shqipëri-Bullgari-Maqedoni firmosin për përshpejtimin e projektit

Korridori 8, një projekt i iniciuar rreth 15 vite më parë, ka rikthyer në Tiranë interesin e Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë për realizmin e tij dhe marrjen në konsideratë nga Brukseli të këtij projekti kaq të rëndësishëm për lidhjen e Lindjes dhe Perëndimit. Duke qenë se dy vende nga kalon ky Korridor, Italia dhe Bullgaria, janë vende anëtare të BE-së, u kërkua prej tyre të japin ndikimin e tyre në Bruksel, me qëllim sigurimin e financimit të këtij. Por nga ana tjetër, të katër shtetet u angazhuan të realizojnë akset e këtij projekti që kalojnë në secilin vend. Një angazhim të tillë të qeverisë shqiptare e konfirmoi dje Kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Por nga ana tjetër, ai kërkoi që dhe Brukseli të japë kontributin tij. Duke kontribuar në këtë Korridor, për Brukselin do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme dhe një kontribut i madh që rajoni i jep paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe prosperitetit të tij. Unë kam besim të plotë se qeveritë tona mund ta ndërtojnë Korridorin dhe duhet ta konsiderojmë në mënyrën më serioze ndërtimin e tij, pavarësisht nga çmimi, - tha dje kryeministri Berisha, i cili përshëndeti hapjen e konferencës Korridori 8, një urë mes Adriatikut dhe Detit të Zi, që zhvillohet në 29-30 prill në Tiranë, me pjesëmarrjen e ministrave të Transporteve të katër vendeve, ku kalon ky korridor, Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Katër shtetet u përfaqësuan në këtë konferencë nga ministrat e Transporteve të Italisë, Altero Matteoli, ai i Shqipërisë Sokol Olldashi, i Bullgarisë, Aleksandar Tsvetkov dhe i Maqedonisë, Mile Janakieski. Ministrat e Transporteve të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë nënshkruan gjithashtu edhe një deklaratë të përbashkët për përshpejtimin e realizimit të projekteve gjatë Korridorit 8. Kryeministri Berisha u fokusua në rëndësinë jetike të këtij Korridori për katër vendet, duke theksuar domosdoshmërinë e ndërmarrjes së hapave konkretë për realizimin e tij. Kryeministri shprehu bindjen se qeveritë e katër vendeve mund ta ndërtojnë korridorin dhe se ato duhet ta konsiderojnë seriozisht ndërtimin e tij, pavarësisht nga çmimi. Kryeministri Berisha rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për këtë projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm infrastrukturor dhe bëri të ditur se Shqipëria po ndërton një segment të këtij Korridori, Tiranë-Bllatë dhe së shpejti do të fillojë ndërtimi i një segmenti tjetër Tiranë-Elbasan. Ti bëjmë këto ndërtime të organizuara, nën ombrellën e një korridori të madh, e një ëndrre të madhe evropiane, sepse sot, Korridori 8 përbën një ëndërr evropiane për kombet tona, - u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri tha se ky projekti i iniciuar 15 vjet më parë nuk u realizua për shkak të problemeve që kishte rajoni. Tre vendet, në të cilat kalon ky Korridor, Italia, Bullgaria dhe Shqipëria, janë vende anëtare të NATOS-s. Dy nga këto vende, Italia dhe Bullgaria, janë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Shqipëria dhe Maqedonia janë vende që kanë shënuar progres të theksuar në rrugën e integrimit të tyre evropian. Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që të vendosim për hapa konkrete për ndërtimin e këtij korridori, - tha kreu i qeverisë shqiptare.

Korridori 8, gjurmët ku kalon aksi transnacional

Korridori 8 është një prej Korridoreve të Rrjetit Evropian të Transporteve i njohur nga Bashkimi Evropian: një lidhje intermodale Perëndim-Lindje mes Zonave Paneuropiane të Transportit, deteve të Adriatikut e Jonit dhe Detit të Zi, që nis nga portet e Barit e Brindizit (Itali) dhe mbërrin në ato bullgare të Detit të Zi, pasi përshkon territorin shqiptar, maqedonas dhe bullgar. Zhvillimi i Korridorit 8 si pjesë e rrjetit të transportit të integruar, do të ketë një ndikim pozitiv në tri aspekte: si aks kombëtar për secilin nga vendet që përshkon, si një lidhje mes vendeve të rajonit të Ballkanit dhe si aks transnacional, që lidh zonën e transporteve të Mesdheut/të Adriatikut me zonën e Transporteve të Detit të Zi, duke lidhur rrjetet TEN të BE-së (Itali) dhe autostradat e detit, në Perëndim, me rrjetin TEN të BE-së (Bullgarisë), si dhe me Korridorin Traceca, në Lindje. Korridori 8 vazhdon të mbetet prioritet i qeverive të Ballkanit Jugperëndimor dhe Italisë. Megjithëse ka disa vite që projekti diskutohet në qarqet evropiane, për arsye të lobeve të ndryshme dhe drojës së shpenzimeve të të mëdha, projekti, i konsideruar si njëri nga më të mëdhenjtë e infrastrukturës, mbetet ende në letër. Prej vitesh, përfaqësuesit e qeverive të vendeve nga ku parashikohet të kalojë ky korridor lobojnë në Komisionin Evropian, për të marrë fonde, por pa ia arritur qëllimit. KE-ja, para disa vitesh miratoi financimin e 30 mega-projekteve infrastrukturore, me një kosto prej 225 miliardë eurosh, por Korridori 8 nuk bënte pjesë, me gjithë përpjekjet e zyrtarëve italianë, të cilët mbeten më të interesuarit për ndërtimin e tij. Gjatë këtyre viteve, qeveritë kanë nënshkruar marrëveshje dhe memorandume për ndërtimin e tij. Ky korridor nuk përfaqëson vetëm një rrugë transporti automobilistik, por hekurudha dhe rrjet energjetik. Ka mbi një vit që në Itali është ngritur edhe një sekretariat për këtë vepër madhore.

Italia: Korridori 8 të shtrihet deri në Napoli

Projekti i Korridorit 8 parashikohet të shtrihet deri në Napoli. Ky fakt i është bërë i ditur Kryeministrit Berisha nga ministri i Transportit të Italisë, Altero Matteoli, në takimin që ata zhvilluan dje. Në këtë takim u bë e ditur se është diskutuar mes 4 shteteve ku kalon Korridori 8 dhe është rënë dakord që këtë proces ta udhëheqë Italia, vendi me peshën më të madhe në Bruksel. Ministri italian i Transporteve e falënderoi Kryeministrin Berisha për takimin dhe i përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Zoti Matteoli u shpreh i impresionuar për ndryshimet e jashtëzakonshme dhe zhvillimin e madh të Shqipërisë në këto vitet e fundit. Ministri Matteoli u shpreh se Italia dhe qeveria italiane ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm realizimin e Korridorit 8, duke lobuar fort edhe në BE në këtë drejtim, duke shtuar se lidhur me këtë Korridor Italia do ti qëndrojë impenjimeve që ka marrë. Kryeministri Berisha u shpreh se ky Korridor e gjen rajonin e Ballkanit një rajon tjetër, shumë më të zhvilluar dhe se çdo vend duhet të japë kontributin e tij për realizimin e këtij projekti aq rëndësishëm për ekonomitë e vendeve të rajonit. Kryeministri tha se një mënyrë për ta realizuar atë është dhe pjesëmarrja e vetë qeverive ku ky Korridor kalon, për financimin e tij. Gjithashtu në takim u diskutua gjerësisht lidhur me bashkëpunimin në fushën e modernizimit të Aviacionit Civil dhe intensifikimin e transportit ajror dhe atij detar me Shqipërinë, si dy fusha me interes reciprok mjaft të madh. 

Ministri shqiptar, Sokol Olldashi

Ministri Olldashi theksoi në fjalën e tij interesin maksimal që Shqipëria i kushton ndërtimit të Korridorit 8. Së pari, për leverdisshmërinë që ky Korridor ka për vendin, sikurse konkludohet edhe në studimet e ndryshme të ndërmarra për të. Së dyti, për shkak se Korridori VIII është e vetmja arterie paneuropiane që përshkon vendin. Së treti, sepse ky korridor duke tejshkuar Shqipërinë i jep akses rreth 1.4 milion banorëve ose 43.5% të popullsisë. Së katërti dhe, ndoshta më e rëndësishmja, sepse shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe vendeve ku kalon ky Korridor zënë rreth 40% të totalit të vendit, - theksoi në fjalën e tij ministri Olldashi. Ndërsa shtoi se për arsye të ngjashme, por edhe të tjera, Korridori 8 është shumë i rëndësishëm edhe për Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë. Ministri Olldashi nënvizoi faktin se duhet të intensifikohet përpjekja pranë Bashkimit Evropian, për ti dhënë Korridorit 8 vëmendjen që mendohet se meriton, por, nga ana tjetër, do të thotë që të vazhdohet me ndërtimin e infrastrukturave përkatëse, në territoret tona

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›