Biznesi i shmanget regjistrimit për taksat
Një numër i madh subjektesh të biznesit të vogël dhe të madh nuk janë regjistruar dhe riregjistruar për vitin 2010. Ndërsa 50 biznese të mëdha e kanë shkelur afatin përfundimtar për regjistrimin e aktivitetit të tyre, numri i biznesit të vogël që ende nuk është regjistruar është në mbi 1000. Sipas specialistëve të tatimeve, në Bashkinë e Fierit mësohet se kriza ekonomike ka reflektuar në këtë proces dhe për pasojë ka ndikuar në uljen e bizneseve të rregullta në pagesat e detyrimeve. Afati i regjistrimit dhe riregjistrimit të biznesit ka përfunduar prej dy javësh, ndërsa më 1 maj do të nisnin ndëshkimet, të cilat përkojnë që nga gjoba dhe bllokimi i llogarive bankare, deri dhe te ndjekja penale dhe bllokim i aktivitetit. Për ato biznese që nuk respektojnë ligjin, do të fillojnë sanksionet deri në 25% e shumës se xhiros vjetore që do të jetë vlera e gjobës që do t’u vendoset atyre, kjo për sa i përket biznesit të vogël.
#