E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Korrupsioni, beteja e jetës sime. Spoti s’ka pse të trishtojë njeri

 

Kryeministri Sali Berisha ka folur dje për herë të parë për spotin antikorrupsion, pas insistimit disaditor të gazetarëve. Gjatë një turi përurimesh në qytetin e Shkodrës, kreu i qeverisë tha: “Unë flas për investimet, ndërsa ju vazhdoni pyesni për spotin. Por unë i kam dhënë një herë përgjigje kësaj çështje. Spoti nuk ka përse të trishtojë njeri. Beteja kundër korrupsionit është beteja e jetës time. Unë mendoj kështu dhe e shpall të tillë atë, sepse kam bindjen më të thellë se dy janë armiqtë më të egër të mirëqenies së njeriut; tirania dhe korrupsioni”, theksoi Berisha. Sipas tij, “Tiraninë e kemi lënë pas që në vitin 1992, ndërsa korrupsionin do ta luftojmë rreptësisht dhe me përkushtimin më të madh, në mënyrë që të mund të mos ketë hapësira në shoqërinë tonë. Nëse Shqipëria po ndryshon, dhe këtë tani e pohon çdo qytetar dhe vizitor i këtij vendi, lind pyetja se cili është shkaku themelor i këtij ndryshimi dhe unë do të thosha se shkaku kryesor është lufta kundër korrupsionit”. Gjatë interesimit të gazetarëve, kreu i qeverisë ka bërë edhe një paralelizëm me ngjarjet e vitit 1939. “Kur Shqipëria u pushtua nga fashizmi, një grup fashistësh dolën në Tiranë dhe brohorisnin: Viva Duçe. Aty u gjend dhe një matjan, i cili, sapo e ndërpritnin ata, u kthehej dhe u thoshte – ‘edhe Zogi’”, theksoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›