PD-ja nën ethet e kandidatëve të Tiranës
Eljona Ballhysa
Deklarata publike e Besnik Mustafajt, i cili shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës, duket se ka futur nën ethe të gjithë selinë blu. Kjo për faktin se ndodh për herë të parë në historinë politike të Partisë Demokratike që një kandidat shpall garë duke treguar konkurrencë për një post politik. Pikërisht, deklarata e Mustafajt heq të gjitha mundësitë për zhvillimin e një gare informale. Tashmë në PD ndodhet një individ real, një politikan që ka hapur një sfidë dhe përballë ndodhet kryetari i kësaj partie, Sali Berisha. Ky i fundit, në shumicën e rasteve ka ndjekur praktikën e emërimeve në postet e larta drejtuese të partisë, duke ia besuar këto poste njerëzve të afërt, të bindurve, “ushtarëve” të besuar. Por në këtë rast, duket se nuk ka vend për të zbatuar një praktikë të tillë. Kandidatura e Mustafajt ka futur në ethe, jo vetëm PD-në por dhe kryeministrin Berisha. Atij tashmë i duhet të gjejë një kandidat me potenciale, jo të barabarta, por më lart se Mustafaj dhe të gëzojë mbështetje të anëtarësisë, dhe të grupeve të interesit. Një punën e tillë duket e vështirë, duke pasur parasysh se Mustafaj është i vjetër, po aq sa Berisha në PD dhe kontributet e tij janë të njohura nga të gjithë anëtarët e selisë blu.
Mbështetja
Nga ana tjetër, Besnik Mustafaj është i zgjedhur deputet në qendër të Tiranës që nga viti ‘91 dhe ka marrë në disa legjislatura votat e kryeqytetasve. Mbështetja e hapur e tij ndaj kandidaturës së presidentit Topi, tregon qartë për një angazhim të mirëplanifikuar të Mustafajt për të fituar mbështetjen e grupit të ish-nënkryetarit të PD-së. Por duke u mbështetur nga Topi, Mustafaj fiton mbështetjen edhe të shtresave shoqërore, siç janë ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë. Këto dy shtresa duket se janë më pak të përfaqësuarat në strukturat e larta drejtuese të PD-së, ndaj dhe i duhet një kandidat i fortë si Mustafaj. Aktualisht PD-ja e Tiranës drejtohet nga Sokol Olldashi, por pas humbjes në zgjedhjet lokale të vitit 2007, Olldashi ka deklaruar se do të largohet nga ky post. Deri tashmë nuk është cituar asnjë emër tjetër, përveç Mustafajt për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës.
Angazhimi
Vetëm një ditë më parë, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, deklaroi zyrtarisht kandidimin për postin e kryetarit të degës së PD-së së Tiranës. Ai e cilësoi një nga momentet politike më të rëndësishme të Partisë Demokratike fushatën brenda PD-së.
“Unë kam vendosur që të jem kandidat për drejtimin e Partisë Demokratike në Tiranë. Partia Demokratike në Tiranë është motori de fakto i krejt PD-së, jo vetëm se është kryeqendra, por edhe sepse në Tiranë janë të përqendruar forcat më të mëdha intelektuale të vendit, aderuese në Partinë Demokratike. Tirana është faktikisht vendi ku nuk janë më vetëm qytetarët e Tiranës apo ata të ardhur deri në vitin ‘90. Tirana me shumëfishimin e popullsisë së saj, me prurjet nga gjithë Shqipëria, shumë nga themeluesit e Partisë Demokratike nëpër rrethe në 1990-‘91 tashmë janë anëtarë të Partisë Demokratike në Tiranë, pra në këtë kuptim Tirana do të jetë motori i vërtetë i fushatës elektorale”, -ka qenë kjo deklarata zyrtare e Mustafajt për kandidimin për postin e kryetarit të degës së PD-së në Tiranë. Ai është shprehur se ky vendim nuk ka qenë i çastit por i mirëmenduar prej tij. “Unë mendoj se i kam një detyrim Partisë Demokratike në Tiranë për t’u angazhuar më shumë drejtpërdrejtë me strukturat e saj, sepse unë gjithë jetën time politike e kam bërë në Tiranë, demokratët e Tiranës më kanë votuar, që nga 1991 dhe në vazhdim disa herë”, -ka bërë të ditur Mustafaj.
Statuti i PD-së
Kryetari i degës
Neni 27
Kryetari i Degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të Degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga Kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat.
Kryetari i Degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen lirë të çdo anëtari të kryesisë. Kryetarët i Degës është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë.
8 Shtator 2008