E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngacmon seksualisht 5-vjeçaren

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Dëshmia e marrë nga e mitura si dhe ekspertiza pritet të zbardhin ngjarjen e rëndë, që ka tronditur qytetarët e Korçës. Policia vendase pohoi se u arrestua paraditen e djeshme Olger Llenga, banor i lagjes 6 të qytetit. Ai dyshohet se mbrëmjen e së hënës ka kryer veprime të turpshme me fëmijën, e ëma e së cilës kërkoi ndihmën e policisë sapo ka parë vajzën e tronditur. Mendohet se duke përfituar nga lëvizjet e pakta dhe faktin se banonte pranë familjes së të miturës, e ka tërhequr me forcë brenda apartamentit të tij. Ai e ka gjetur vajzën në shkallë, ndërsa po dilte për të luajtur me moshatarët e saj. Fëmija, bazuar në dëshminë e së ëmës, ka treguar se fqinji e kishte qerasur me ëmbëlsira e pastaj e ka prekur nëpër trup. Nuk dihet ende se si kanë vazhduar veprimet e 34-vjeçarit, por vajza e vogël ka filluar të qajë me ulërima, gjë që është dëgjuar në shkallët e pallatit. Në këto rrethana ai ka qenë i detyruar të ndërpresë veprimet e tij prej maniaku dhe ta nxjerrë të miturën jashtë hyrjes. E ëma e fëmijës ka dëgjuar të qarat dhe ka dalë jashtë, duke e parë atë te shkallët. Duke e pyetur se çka ndodhur, fëmija është ankuar se kishte dhimbje në organin gjenital. E shqetësuar, e ëma e ka kontrolluar, duke vënë re se kishte njolla gjaku. Duke këmbëngulur, nëna ka mësuar se e bija kishte qenë te shtëpia e fqinjit. Me shpejtësi ka trokitur në derën e tij, por asnjë përgjigje nuk ka marrë prej shtëpisë. Rreth orës 21:00, nëna e fëmijës i është drejtuar policisë për kallëzim. Afër mesnatës, policia e ka shoqëruar në mjediset e izolimit të saj të akuzuarin nga nëna e vogëlushes. Sapo u çua në dhomat e izolimit është njohur me akuzën e ngritur nga fqinja e tij, por Llënga e ka mohuar atë plotësisht. Ai ka dëshmuar se e ka takuar vogëlushen vetëm në shkallët e pallatit dhe si zakonisht e ka puthur dhe këtë veprim e kryente gjithmonë, pasi e donte atë fëmijë. Por policia nuk është mjaftuar me kaq. Në orët e vona, fëmija, e shoqëruar nga nëna e saj është çuar në maternitet, për t’u kontrolluar nga mjekët gjinekologë më të mirë të qytetit. Ata kanë marrë masa për të shmangur nga plaga që konstatuan në sipërfaqe ndonjë infeksion të mundshëm. Gjatë ditës së djeshme vogëlushja i është nënshtruar analizave të hollësishme nga mjekët eksperto–ligjorë dhe pritet që të përcaktohet se është përdhunuar apo jo nga fqinji i saj. Në orën 10:30 të ditës së djeshme, pas hetimeve të para, policia i ka komunikuar 34-vjeçarit arrestimin nën akuzën e kryerjes së veprimeve të turpshme me minorenen. Fjala e fundit për ngjarjen e rëndë i ka mbetur ekspertëve, në bazë të përfundimit të të cilave do të ngrihet dhe akuza ndaj Llëngës.

Jeta e 34-vjeçarit

Një njeri i heshtur, i cili asnjëherë nuk ndihej nëpër lagje. Kështu e ka përcaktuar policia dhe fqinjët e tij 34-vjeçarin e arrestuar për pedofili, Olger Llenga. Ai ishte i pamartuar, me arsim 8-vjeçar dhe nga të dhënat nuk kishte punuar më parë. Në apartamentin ku u arrestua ai jetonte me gjyshen, pasi e ëma dhe i ati e kishin braktisur prej vitesh. Njihej si njeri i pafjalë, që shihte vetëm rrugën e tij, duke mos shkaktuar më parë asnjë incident. Ngjarja e rëndë e ndodhur me të miturën ka qenë tronditëse, duke bërë që policia e Korçës dhe ekspertët e saj të punojnë për zbardhjen e plotë. Gjatë dy javëve të fundit, dy persona janë arrestuar për dhunë seksuale ose veprime të turpshme ndaj të miturave në Qarkun e Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›