E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vazhdon të krenohet me luftën kundër korrupsionit: “Kjo është beteja ime”



Në një kohë kur shumica e deputetëve të Partisë Demokratike e kanë cilësuar të dështuar premtimin e qeverisë për të luftuar korrupsionit, kryeministri Berisha vazhdon të krenohet me këtë luftë. Madje gjatë ditës së djeshme, ku ka vazhduar në Librazhd turin e tij të takimeve me qytetarët, kryeministri i është drejtuar rivalit të tij politik, Edi Ramës, duke u shprehur se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë të mbetet beteja e tij. Gjatë tre viteve e gjysmë në pushtet qeveria Berisha është përfshirë në disa çështje të bujshme korrupsioni, siç janë veçanërisht tragjedia e Gërdecit dhe rruga Durrës-Kukës-Morinë. Madje shumë deputetë të kësaj partie vetëm pak kohë më parë ndërmorën një fushatë kërkesash për ndryshimin e kabinetit qeveritar, për shkak se tragjedia e Gërdecit uli shumë imazhin e qeverisë. Por duket se ky qëndrim i deputetëve nuk ka ndikuar aspak në politikën që ndjek kryetari i demokratëve dhe kryeministri i vendit. “Kryetari me korrespondencë i bashkisë së Tiranës del dhe thotë se përse kryeministri iu bën ju thirrje që ta luftojmë korrupsionin. Më lejoni t’i them nga kjo tribunë: Zoti Rama lufta kundër korrupsionit është beteja e jetës time! Asgjë nuk mund të bëj unë më shumë për njerëzit e lirë se sa t`i mbroj ata dhe të luftoj së bashku me ta korrupsionin. Lufta kundër korrupsionit u faktua në këto tre vjet se është leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit do të jetë leva e Arkimedit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar dhe modern”, është shprehur Berisha. Ai ka akuzuar Ramën se “ka shpenzuar më shumë se 2.5 milionë euro për fushatë për të bërë tualetin e karrierës së tij të politike, që as sallonet e Hollivudit nuk mund ta shpëtojnë dot nga rrënimi, i sulet luftës që ne po bëjmë kundër korrupsionit dhe mobilizon tenderlëpirës dhe gjakbërës apo nënkryetarët e tij që pasi vjedhin financat e organizatës që drejtojnë, vjedhin edhe kompjuterin e financave sepse u del vila e vjedhur në shesh”. Gjatë ditës së djeshme Berisha është ndalur në qytetin e Librazhdit dhe në fshatrat përreth ku ka marrë pjesë në një sërë përurimesh dhe inaugurimesh.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›