Berisha: Koshtunica të lërë mitet e të shohë realitetin
• Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar homologut të tij serb, Vojisllav Koshtunica, që t’i lërë mënjanë mitet, sepse mitet dhe politika nuk mund të qëndrojnë së bashku.Gjatë një interviste në BBC për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës, Berisha tha se “Mitet duhen lënë mënjanë. Kjo puna e djepit më duket shumë jo realiste. Nuk jam i sigurt nëse ata sollën djepin e tyre apo morën djepin tonë në Kosovë. Megjithatë, në një djep mund të rriten disa foshnja”, tha Berisha, duke shtuar se është jorealiste të kërkosh djepin në shtëpinë e fqinjit. Kryeministri Berisha këmbënguli se deklaratat e serbëve nuk janë realiste. “Nuk është aspak realiste ajo ç’ka thonë serbët. Si mund t’i thuash një kombi se djepi i tij është një vend tjetër? Djepi i tyre është Beogradi”, theksoi Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare hodhi poshtë pretendimet serbe se Kosova është “zemër” e Serbisë, duke nënvizuar se “Kosova nuk mund të jetë kurrë zemra e një kombi tjetër”. Berisha sqaroi se në Kosovë ka disa manastire, por ato kanë qenë katolike romane përpara se serbët të mbërrinin dhe kjo është provuar. “Manastiri i Pejës është ndërtuar në pronat e një familjeje shqiptare me mbiemrin Zajmi. Ata kanë qenë mbrojtës të manastirit për shekuj me radhë. Mendoj se Kryeministri Koshtunica duhet të jetë më realist”, tha Berisha për BBC-në. “Më vjen shumë keq për qëndrimin e Kryeministrit Koshtunica. Mendoj se ai nuk është realist, sepse mitet dhe politika nuk mund të qëndrojnë së bashku”, përfundoi Berisha. Shqipëria është vlerësuar nga ndërkombëtarët si vendi që ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon. Kjo ka qenë edhe kërkesa e fundit e Komisionit Evropian. Duke iu referuar ngjarjeve pas 17 shkurtit në raportin e KE-së, thuhet se është shumë e rëndësishme që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen nga aktivitete apo deklarata që mund ta rrezikojnë situatën e sigurisë.