Kapet ekzekutori i pronarit të “Univers”
• Dera e dhomës 219 ka fluturuar brenda dhe në mënyrë të rrufeshme një grup agjentësh të policisë i kanë vënë prangat në duar Armand Hasanit pa i dhënë mundësi të kundërpërgjigjej.Dashamir Biçaku I kërkuari 27-vjeçar ndodhej bashkë me të fejuarën në një hotel në autostradë në dalje të Tiranës kur ra në prangat e policisë. Ai akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pjesëmarrës në ekzekutimin e biznesmenit nga Elbasani Sokol Çapja. Rreth orës 17:30, agjentët e sektorit të Mbikqyrjes dhe Operacioneve Speciale, kanë shqyer derën e dhomës 219, të hotelit rreth 10 km në perëndim të Tiranës në autostradë. Sipas informacioneve operative, personi i kërkuar ndodhej aty bashkë me të fejuarën. Pasi kanë arrestuar 27-vjeçarin, efektivat e policisë kanë gjetur poshtë jastëkut një pistoletë spanjolle e kalibrit 9mm me 15 fishekë në krehër. Arma me mbishkrimin “Qeramika” ishte e mbushur gati për të qëlluar në çdo moment. Gjatë arrestimit policia i bllokoi të kërkuarit edhe një pistoletë tjetër të markës “Valter”, gjithashtu me 15 fishekë. I dyshuari si autor i vrasjes së Sokol Çapjes në dhjetor të vitit 2005, kishte më tepër se një muaj që jetonte në Shqipëri. “Vrasës me pagesë”Armand Hasani, sipas burimeve zyrtare të policisë së Tiranës dyshohet se veç Sokol Çapjes, ka kryer edhe vrasje të tjera, në qytetin e Elbasanit dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Këto krime sipas policisë, dyshohet se i arrestuari i ka kryer kundrejt pagesës. Policia dyshon se ai është kthyer nga Greqia, ku kishte qëndruar së fundi ndërsa më parë dyshohet se ka qëndruar edhe në Itali. Armand Hasani, ka qenë një nga personat më të kërkuar edhe nga Interpol Tirana, që prej janarit të vitit 2006. Burimet zyrtare thanë se, ai dyshohet si pjesëmarrës në ekzekutimin e biznesmenit Sokol Çapja në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2005, dhe Armand Hasani gjatë atentatit dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe nga Dritan Sheme. Sokol Çapja, 35 vjeç, pronar i bar restorant “Univers”, në Elbasan, mbeti i vrarë në vitin 2005. Ai u qëllua me breshëri armësh nga dy persona të paidentifikuar brenda një lokali në Elbasan. Menjëherë pas arrestimit, i dyshuari Armand Hasani, është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Bashkë me të është shoqëruar edhe e fejuara e tij, e cila është pyetur nga hetuesit për detaje në interes të hetimit. Ndërhyrja e zhvilluar dje pasdite nga vëzhguesit e sektorit të Operacioneve Speciale kishte rreth tri javë që përgatitej. Burimet e policisë thanë mbrëmë se për gati tri javë, i kërkuari është ndjekur hap pas hapi. Madje sipas policisë, agjentët ishin në dijeni jo vetëm se i kërkuari ndodhej në “dhomën 219” ku u arrestua, por edhe se ai kishte rrezikshmëri të lartë. Rreth tri javë më parë në policinë e Tiranës ka mbërritur informacioni se një nga më të kërkuarit e policisë shqiptare ndodhej në Tiranë. Bashkë me të dhënat e përshkrimin e tij fizik, agjentët morën edhe foto bardh e zi të personit të kërkuar. TakimiDje pasdite, 27-vjeçari Hasani, është takuar me të fejuarën e tij dhe së bashku janë nisur me një taksi në drejtim të autostradës, kanë ndaluar në hotelin ku ndodhi arrestimi. Një mjet me targa private, i agjentëve të policisë ka ndjekur taksinë me të cilën udhëtonin të qetë i kërkuari dhe e fejuara e tij. Ata kanë hyrë në dhomë ndërsa më pas aty kanë mbërritur edhe agjentët e policisë. Pas arrestimit, 27-vjeçari nga Elbasani, mbahet në një nga dhomat e izolimit të Drejtorisë së Tiranës. Ai njihej si mik i Dritan Shemes, vrarë më 19 tetor të vitit 2006 në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Vrasja e Shemes në një pikë bastesh në Tiranë dyshohet se ndodhi për hakmarrje pas dyshimeve për pjesëmarrjen e tij në ekzekutimin e biznesmenit në Elbasan. Mbrëmë hetuesit i kanë komunikuar Armand Hasanit, akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje.Atentati në pikën e basteve për hakmarrjeVrasja e Sokol Çapes më 27 dhjetor 2005, u shoqërua me një tjetër hakmarrje në vitin 2006, në muajin tetor. Shkak i ngjarjes mësohet të ketë qenë një konflikt i mëparshëm mes palëve për çështje të trafikut të drogës. Një vit më pas u vra në një pikë bastesh në Tiranë, Dritan Sheme i dyshuar për pjesëmarrje në atentatin ndaj Sokol Çapjes.