E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli me kampionet: Më shumë gra në politikë

• VLORE – “Të krijojmë një botë ku gruaja të shfaqë dhuntitë e saj në çdo fushë e me çdo mënyrë”.Nga qyteti i Vlorës, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka sensibilizuar femrat se ato duhet të jenë aktiviste të jetës shoqërore e politike, pjesë e vendimmarrjes. Në kuadër të aktiviteteve për mbështetjen dhe shtyrjen e grave në sektorët jetikë të shoqërisë, të cilat finalizohen më 8 mars, Topalli ka marrë pjesë dy ditë më parë në takimin e zhvilluar në kinoteatrin “Petro Marko” të Vlorës. Aty merrnin pjesë mësuese, mjeke, biznesmenë, nëna, gra sportiste, drejtuese të suksesshme dhe të njohura në fushat që ato veprojnë si dhe pushtetarët vendorë. Duke falënderuar pjesëmarrjen në takim, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e grave vlonjate në zhvillimin e qytetit dhe në realizimin e reformave, që po kryhen në të gjithë Shqipërinë. Sipas Topallit, pavarësisht nga dukja e një vendi tradicional, në Shqipëri opinioni publik nuk ka vështirësi në pranimin e grave në vendimmarrje, përfshi këtu edhe në politikë. “Në të gjithë botën gratë përballen me pengesa në pjesëmarrjen e tyre në politikë. Sot, në Shqipëri ka pak gra në politikë dhe sistemi i kuotave do të ishte një zgjidhje. Ndoshta jo zgjidhja më e mirë dhe më e preferuar, por mund të shihet si një fillim për gratë që duan të nisin karrierën politike e më pas t’u nënshtrohen rregullave të konkurrimit, për të gjetur veten nëse janë vërtet të lindura dhe të përkushtuara për të ecur më tej ose jo. Unë besoj se një gjë e tillë nuk është e pamundur, por nuk duhet të jemi artificialë, pasi jo gjithçka ka të bëjë me numrat”, deklaroi Topalli. Gjatë përshëndetjeve, fituesja e konkursit “Ethet”, Kejsi Tola, falënderoi ndër të tjera Kryetaren e Kuvendit për mbajtjen e takimit. Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, tha se takime të tilla janë shumë të rëndësishme për të nxjerrë në pah potencialet e fuqishme femërore të një qyteti dhe për trajtimin e problemeve dhe sfidave, që kanë sot gratë në Shqipëri. Takimin e përshëndeti edhe kapitenia e ekipit të basketbollit “Flamurtari” të Vlorës, kampione e Shqipërisë, Elona Merkaj.             q.bParlamenti, hapet për gratë më 8 marsNë Ditën Ndërkombëtare të Grave, Kuvendi i Shqipërisë do të hapë dyert për të gjitha gratë. “Në 8 Mars zakonisht jemi mësuar të flitet për gra, të festohet apo të protestohet. Unë nuk mendoj se çështja e grave duhet lënë vetëm në një ditë, vetëm në 8 Mars. Unë nuk mund të organizoj as festë, as protestë, as ndonjë takim të veçantë: Kam vendosur bashkë me miket dhe koleget e mia të bëj vetëm një gjest: Të hap derën e Parlamentit dhe të ftoj të gjitha gratë të vinë atje. Kjo nuk është ftesë për një vizitë në Parlament, është hapja e portës, që secila prej grave që e ndjen veten të aftë se mund t’i hyjë garës në politikë, e ka derën e Parlamentit të hapur dhe vendin e Kryetares se Kuvendit pas dy vjetësh”, tha Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›