Hetimet për trafikun e drogës, në polici dhe 4 të tjerë
• VLORE - Hetimet për trafikun e drogës dhe armëve kanë çuar dje në komisariatin e Vlorës dhe 4 persona të tjerë.Sipas policisë së Vlorës, ata janë dyshuar si bashkëpunëtorë me 7 personat e ndaluar dy ditë më parë, mes tyre një polic i Himarës, në një aksion të zhvilluar në Marinëz të Fierit. Ditën e djeshme, grupi i hetimit ka dërguar të gjitha kartat e telefonave celularë të bllokuar bashkë me 72 kg kanabis, armë e municione, në kompanitë përkatëse për të zbardhur numrat e telefonave që kanë biseduar personat e arrestuar, si dhe bisedat me të cilët kanë bërë për të zbardhur dhe bashkëpunëtorët e tjerë në këtë trafik. Në Laboratorin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme janë dërguar gjithashtu të gjitha gjurmët e gjetura në pakot e drogës, në mjetet e përpunimit të saj, si dhe shenjat e lëna në kartëmonedhat e bllokuara. Ditën e djeshme janë shoqëruar për në komisariat për t’u marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje dhe 4 persona të tjerë, të dyshuar se kanë dhënë ndihmë në këtë trafik personave të arrestuar. Por, pas dhënies së dëshmive ata janë lënë të lirë. Sipas grupit hetimor, po punohet për të gjetur punishten se ku është përpunuar bima narkotike, si dhe personat që kanë kryer përpunimin dhe ambalazhimin e saj. Qëllimi i hetimit është zbardhja e të gjithë skemës së këtij trafiku jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë, duke bashkëpunuar me kolegët e shtetit grek, me qëllim identifikimin e pritësve të mallit. Në ndihmë të grupit hetimor në Drejtorinë e Policisë së Vlorës kanë ardhur dhe specialistë nga ministria dhe Prokuroria e të Krimeve të Rënda. Në qelitë e komisariatit të Vlorës ndodhen aktualisht 7 persona, Dhimitër e Andrea Kumaraku, Bashkim Sheraj, Ago Rrapi, Novruz Abazaj, Mehmet Spaho e Rrapi Kola. Nga përgjimet e kryera ata u akuzuan se kanë bashkëpunuar në një rrjet, që merrte drogën nga Lazarati për ta transportuar në Himarë e më pas drejt Greqisë. q.b