Mjekët: 50-vjeçari që u gjet i vdekur në Tiranë, është vrarë
• TIRANE - Vdekja e 50-vjeçarit Gëzim Shullani, i cili u gjet i vdekur dy ditë më parë në Tiranë, klasifikohet nga policia si vrasje.Ky fakt është konfirmuar nga policia e kryeqytyetit dje nëpërmjet një njoftimi zyrtar ku thuhet se mjekët ligjorë kanë konkluduar se vdekja 50-vjeçarit ka ardhur për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tij me mjete të forta. Shkak për krimin mendohet se mund të ketë qenë përfshirja e viktimës në një aferë të trafikut të vizave në drejtim të vendeve të Evropës Perëndimore. Sipas burimeve zyrtare, 50-vjeçari Shullani, nga Durrësi, mendohet se ka mbërritur në Tiranë pikërisht për një çështje të tillë. Policia pohoi se, tashmë kjo është pista në të cilën ata po hetojnë vdekjen e 50-vjeçarit, nga Durrësi. Gëzim Shullani, 50 vjeç, u gjet i vdekur pas ish-ambasadës jugosllave në Rrugën e Durrësit. Viktima u gjet nga disa banorë i larë në gjak dhe i mbështetur pas murit. Burimet pohojnë se, autorët e krimit janë munduar ta paraqesin ngjarjen si aksidentale, pasi për shkak të mbështetjes në mur viktima ka pësuar dëmtime në kokë.