Deputetët vizitojnë në burg të arrestuarin e Hipotekës
• Deputetët e Parlamentit vizitë për ditëlindje në qelinë e Artan Mehmetit, regjistruesit të arrestuar për abuzime në Hipotekën e Tiranës.Burime nga burgjet pohojnë se paraditen e së martës një deputet demokrat, i shoqëruar edhe nga kolegu republikan, Albert Faruku, kanë kapërcyer portën e paraburgimit 302 dhe kanë zhvilluar një takim disa minutësh me 41-vjeçarin Artan Mehmeti, të cilit i kanë uruar ditëlindjen. Burime të tjera nga burgjet pohojnë se ndodheshin për vizitë pesë deputetë, por ky informacion nuk u konfirmua zyrtarisht. Mësohet se deputetët i kanë dërguar atij edhe dhurata simbolike, të cilat i janë dorëzuar familjarëve të regjistruesit. Arrestimi Mehmeti, me origjinë nga Shkodra e banues në Tiranë ishte me punë specialist në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, kur u prangos pasditen e vonë të martën e javës së kaluar. Policia e kryeqytetit tha se rreth 30 minuta para nisjes së aksionit policor, Mehmeti ka pasur një telefonatë sinjalizuese pas të cilës ishte larguar nga banesa në Tiranë. Dyshohet se ndonjë nga miqtë e tij e ka sinjalizuar regjistruesin për arrestimin që e priste pas firmosjes së urdhër-arrestit. Pas ikjes nga Tirana, ai u arrestua në hyrje të qytetit të Elbasanit.Në rrugë operative agjentët e policisë mundën të identifikonin vendndodhjen e tij në qytetin e Elbasanit ku arritën ta prangosnin. Ndërkohë gjatë seancës së masës së sigurisë të zhvilluar në ngarkim të tij në Gjykatën e Tiranës ai mbajti qëndrim mohues ndaj akuzave “korrupsion pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “falsifikim dokumentesh”, ndërsa mbrojtësit e tij i kërkuan gjykatës vendosjen e një mase me të lehtë sigurie nga ajo “arrest në burg”, që ishte vendosur dy ditë më parë në mungesë, në bazë të kërkesës së prokurorisë. Mehmeti u prangos bashkë me dy kolegët e tij Ramiz Hykaj dhe Enton Babameto, dy sekserët Veiz Senko e Halil Hima si dhe oficerin e SHKB-së së policisë së kryeqytetit Dali Hakorja.Hetimi Ata u akuzuan së në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje prej 14 mijë metra katrorë, tek ish-parku i autobusëve në Rrugën e Kavajës. Sipas Prokurorisë tre specialistë e Hipotekës kishin mbivendosur pronën e lakmuar në emër të oficerit të policisë Hakorja, i cili pretendonte se ata ia kishin lënë trashëgimi prindërit e tij. Ndërsa gjatë seancës së masës së sigurisë ata pohuan se edhe nëse ishte e vërtetë kjo akuzë mund të zgjidhej fare lehtë nëpërmjet një procesi civil dhe jo penal. Ndërsa Prokuroria pretendon se nëpërmjet përgjimeve ka arritur të grumbullojë prova të plota në ngarkim të të akuzuarve. Aktualisht masat e sigurisë në ngarkim të gjashtë të arrestuarve ndodhen në duart e gjyqtarëve të Apelit, të cilët pritet që brenda pak ditësh të zhvillojnë seancën.