E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Kristoforidhis: Bashkëpunimi mes dy vendeve, hap i rëndësishëm



Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihalis Kristoforidhis. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi protokollin e nënshkruar për bashkëpunimin në fushën e rendit publik midis dy vendeve, si një hap tjetër shumë të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit në fushën e rendit e të sigurisë, por edhe në konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy qeverive dhe dy vendeve në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha rishprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të nënshkruar çdo marrëveshje, për të luftuar me efikasitet të plotë krimin, në dobi të forcimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit publik, si dhe jetës e pasurisë së qytetarëve të dy vendeve. Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihailis Kristoforidhis, e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i transmetoi kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të kryeministrit grek Papandreu. Ministri grek vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis qeverive dhe të dy vendeve dhe i konfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe në veçanti për heqjen sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë. “Ne besojmë se liberalizmi i vizave për qytetarët shqiptarë për në hapësirat europiane do të sjellë reduktim të mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme duke konsoliduar edhe më tej rendin e sigurinë në rajon”, - u shpreh ministri grek. Në ketë kontekst, ministri Kristoforidhis e informoi kryeministrin Berisha për miratimin, në Parlamentin grek, të ligjit, i cili lejon dhënien e shtetësisë për emigrantët e brezit të dytë, me banim të rregullt në Greqi, i cili pritet të sjellë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës dhe për integrimin emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke. Kryeministri Berisha i shprehu ministrit grek mirënjohjen e qeverisë shqiptare dhe të mbarë shqiptarëve për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që vendi fqinj Greqia po i japin Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, në projektin madhor kombëtar për integrim në BE dhe në veçanti, në mbështetjen e Greqisë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›