Hysi: “Maxhoranca të ofrojë zgjidhje për krizën politike”
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, ka përshëndetur thirrjen drejtorit të Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Europian, Pier Mirel, drejtuar klasës politike shqiptare për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës në rrugë parlamentare. Hysi ka vlerësuar përpjekjet që kanë bërë në vazhdimësi institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane. Përsa i përket transparencës zgjedhore, Hysi i ka bërë thirrje maxhorancës dhe Parlamentit shqiptar që të reflektojë duke ofruar zgjidhjen e saj. Deputetja Hysi ka kërkuar nga maxhoranca të hapë rrugën e hetimit të zgjedhjeve dhe të kontribuojë në dhënien fund të zgjedhjeve me standarde të kufizuara dhe që cenojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. “Partia Socialiste i kërkon maxhorancës dhe Parlamentit shqiptar që konsensusin e dhënë nga opozita dhe futjen e saj në Parlament ta vlerësojnë si shprehje të pjekurisë dhe gatishmërisë së saj për zgjidhjen e krizës politike, dhe jo si pasojë e presionit të bërë nga ndërkombëtarët”, - u shpreh Hysi, duke shtuar: “Partia Socialiste thekson edhe njëherë se hyrja në Parlament, dorëzimi i propozimit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me objekt hetimin e zgjedhjeve sipas kërkesave të bëra nga pakica, si edhe pjesëmarrja në punimet e Komisionit të Ligjeve janë prova më e mirë e vullnetit të PS-së për të gjetur një zgjidhje të krizës politike përmes institucioneve në vend”. Deputetja Hysi ka lënë të kuptojë se 18 marsi për maxhorancën është afati i fundit për të reflektuar. “I bëjmë thirrje Partisë Demokratike që t’i përgjigjet ftesës së Partisë Socialiste dhe kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtarë që në seancën e mbetur në datën 18 mars të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhjen institucionale të krizës politike. Më 18 mars maxhoranca ka mundësinë të tregojë gatishmërinë e saj për t’i dhënë një zgjidhje krizës në rrugë parlamentare”, - theksoi Hysi. Ajo nënvizoi se PS-ja hyri në Parlament jo për të bërë një formalitet, por ofroi mbështetje të fuqishme për Rezolutën e PD-së lidhur me liberalizimin e vizave dhe u angazhua seriozisht, profesionalisht dhe me nisma konkrete për të zgjidhur këtë krizë dhe çdo krizë të mundshme në të ardhmen, për shkak të mosrespektimit të standardeve të zgjedhjeve. “Partia Socialiste, si një parti e përgjegjshme dhe e gatshme të zgjidhë krizën politike me mjete demokratike, mes institucioneve të tilla si Parlamenti dhe në përputhje me standardet e përcaktuara nga Kushtetuta, hyri në Parlament dhe u angazhua seriozisht në Komisionin e Ligjeve”, - tha Hysi.
13 Mars 2010