E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Vendi në batërdi ekonomike, qeveria të pranojë krizën”

Kreu i PS-së: “Plani ynë për krizën ekonomike është bërë publik, qeveria, kokëfortë”. Kryesocialisti: “Arka e shtetit është bosh, qeveria mban premtime të rreme”

Batërdi ekonomike e ka cilësuar kreu i Partisë Socialiste Edi Rama situatën e që po kalon vendi, duke bërë përgjegjës për këtë krizë kryeministrin Sali Berisha. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Rama e ka vënë theksin në krizën ekonomike, duke përsëritur faktin që arka e shtetit ka mbetur bosh, ndërkohë që janë shqiptarët ata që vuajnë pasojat e keqqeverisjes. Kreu i PS-së e akuzon kryeministrin se po kërkon të fshehë krizën ekonomike, duke deklaruar se inflacioni është rritur në nivelin 4.4%. INSTAT-in Rama e ka cilësuar mashë të pushtetit politik, pasi, sipas tij, ka disa muaj që ushqimet janë shtrenjtuar 7–8%. Në këtë kuadër, kryesocialisti u shpreh se rritja e çmimeve të ushqimeve luhatet në nivelet 15–30%. Ndërkaq, ai bëri të ditur se inflacioni për pensionistët është 6% në dy muajt e fundit. Që prej shtatorit 2009, Rama tha se zhvlerësimi i lekut ka funksionuar si një taksë e fshehtë dhe shtesën që kanë marrë në maj 2009 pensionistët, ia kanë rikthyer qeverisë, duke paguar edhe interesat për borxhet e larta që zoti Berisha mori në prag të zgjedhjeve.
Fjala
Kryesocialisti Rama, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, shfaqi një shqetësim të madh për krizën ekonomike që po kalon vendi, por që qeveria nuk e pranon dot. “Nën këmbët tona gropa e ekonomisë po hapet përditë dhe tuneli i krizës ekonomike mund të ketë fatin dramatik të tunelit të Kalimashit nëse kjo qeveri nuk tërhiqet nga politika e mashtrimit publik me shifrat e rreme, të dhënat e falsifikuara dhe premtimet e pambajtura”, - tha Rama. Sipas tij, raportimet zyrtare të Institutit të Statistikave Qeveritare për papunësinë 13% është një mashtrim. Ndërkaq, Rama tha se Instituti i Statistikës raporton se në fshat janë 560 mijë të punësuar, por fshati prodhon pak. “Keni parë me sytë tuaj realitetin në fushat e Korçës, që janë nga territoret më produktive për të ashtuquajturën bujqësi shqiptare. Them të ashtuquajturën, sepse nuk ka bujqësi shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, por ka vetëm shqiptarë që jetojnë në fshat, që rropaten për të mbijetuar me produkte bujqësore të mbetura në mëshirën e fatit”, - tha Rama. Edhe rritja e pensioneve, sipas Ramës, është një dështim i radhës së qeverisë “Berisha”. Rama deklaron se në vend janë 800 mijë persona në moshë pune që nuk kanë punë. Sipas tij, të besosh se papunësia është 13% do të thotë të besosh se vetëm 1 në çdo 8 shqiptarë të rritur është i papunë. “Zoti Berisha vjet premtoi se do të rriste pensionet dhe i rriti për t’ua marrë mbrapsht brenda në më pak se një viti, madje duke u marrë edhe 1 mijë lekë më shumë kur i rriti. Kështu që nga vjet në maj deri sot, janë pensionistët që i japin qeverisë më shumë se sa qeveria u dha pensionistëve. Kjo nënkupton një rënie të mëtejshme të fuqisë së pensionistëve për të garantuar mbijetesën”, - u shpreh kreu i PS-së.
Plani
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryesocialisti bëri të qartë se plani i PS-së për të dalë nga kriza ekonomike është bërë tashmë publik, por është qeveria ajo që nuk kërkon të bashkëpunojë në daljen nga kriza. “Plani ynë është bërë publik në tri raste: para fushatës, gjatë fushatë dhe në momentet kur kriza hyri në fazën e vetë më të vështirë, fazë në të cilën jemi edhe sot, ku në Asamblenë e PS-së, çështjen kryesore ia kemi kushtuar ekonomisë. S'ka pikë dyshimi se vijimi kokëfortë në rrugën e gabuar të kësaj politike të gabuar ekonomike është nga njëra anë shprehje e papërgjegjshmërisë, por, nga ana tjetër, është shprehje e faktit se ky nuk është pushteti i interesave publike, por pushteti i një grushti njerëzish”, - u shpreh Rama.

G99: Ruzhdia, prova e pamohueshme për zgjedhjet

Lëvizja “G99” ka reaguar dje ndaj rastit në Ruzhdie të qarkut të Fierit, duke e cilësuar atë si provën e pamohueshme për zgjedhjet. “Fatmirësisht Prokuroria ka hetuar në këtë kuti dhe shifrat që na prezantohen janë prova e pamohueshme dhe e paevitueshme që këto zgjedhje janë manipuluar dhe janë vjedhur prej partisë në pushtet”, - tha përfaqësuesi i G99-s, Etjen Xhafa. Partia G99 ka dhënë sot fakte ku sipas saj vërtetohen provat e manipulimit. “Në kutinë numër 3052, ku PD-ja thotë se ka humbur një mandat, prej 525 votave të mundshme, Partia Demokratike ka marrë 500 vota, ndërsa PS-ja 12, të tjerat janë të pavlefshme. Pra PD-ja ka marrë 95.2% të votave, një përqindje që na kujton fitoret e Partisë së Punës. 102 persona që rezultojnë votues nuk kanë qenë fare fizikisht në Shqipëri, 173 persona që rezultojnë të kenë votuar me karta identiteti nuk kanë aplikuar kurrë për kartat e identitetit, 94 persona që rezultojnë të kenë votuar me pasaporta nuk kanë fare pasaporta, nënshkrimet e 120 personave janë hedhur nga e njëjta dorë”, - deklaroi Xhafa. Sipas G99-s, nga hetimi i Prokurorisë, 386 vota, pra 75% e votave janë të manipuluara.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›