E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miratoi në fshehtësi draftin për SHISH-in



Komisioni i Ligjeve, në mungesë të deputetëve të opozitës, miratoi në fshehtësi projektligjin për SHISH-in në një mbledhje pa praninë e mediave në fillim të muajit shkurt. Ndërsa vetëm pak ditë më parë deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve e miratuan në tërësi projektin duke i bashkëngjitur edhe amendimet e propozuara nga drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Shaqiri u shpreh pro propozimeve të Këshillit të Ministrave për kufizimin e mandatit të drejtorit të SHISH-it, ndërsa kërkoi zgjerimin e hapësirës së hetimit nga SHISH-i dhe shtrirjen e këtij shërbimi dhe jashtë shtetit. Në fjalën e tij Shaqiri u shpreh se amendimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror lindin si domosdoshmëri për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe përpjekjet për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. Ai bëri të ditur se me kërkesë të kryeministrit Berisha, SHISH ngriti një grup pune që hartoi disa propozime për ndryshimet në ligj. Sipas tij, në takimin me kryeministrin Berisha janë marrë në konsideratë disa nga këto propozime, ndërkohë që Shaqiri kërkoi që të merren në konsideratë dhe disa amendime të tjera. “Këto amendime konsistojnë në shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme. Së pari, saktësimin e emërtimit të SHISH-it në ligj. Së dyti, kryerjen e veprimtarisë së zbulimit jashtë vendit, që do të thotë që në kushtet e reja, SHISH-i mund të kryejë kontrolle tekniko-informative edhe jashtë territorit të vendit. Së treti, kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit. Së katërti, nxjerrjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe apo organizata që i mbështesin apo i financojnë ato. Së pesti, nxjerrjen e informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, pastrimin e parave dhe të gjitha llojet e trafikimit të paligjshëm. Së gjashti, parashikimin e verifikimit të pastërtisë së sigurisë, dhënien e certifikatës së sigurisë”, - është shprehur Shaqiri duke e konsideruar këtë një detyrim që rrjedh nga anëtarësimi i vendit tonë në NATO. “Së shtati, mbrojtjen e sigurisë së SHISH-it duke shtuar mbrojtjen e operacioneve që bëhen edhe nga struktura ilegale për përpjekjet dhe pajisjet që kanë të bëjnë me shërbimet informative të SHISH-it. Parashikimi i kësaj detyre, rregullat dhe procedurat të propozohen nga drejtori i SHISH-it dhe të miratohen nga kryeministri. Kjo do të ndihmonte jo vetëm në realizimin e detyrave nga punonjësit e SHISH-it, por edhe në kontrollin efikas të tyre gjatë kësaj veprimtarie. Së teti, kërkimin e informacionit nga punonjësit e institucioneve publike vendore, qendrore e private për realizimin e detyrave të parashikuara në ligj, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”, - përfundoi Shaqiri.

Qeveria propozon që drejtori i SHISH-it t’i raportojë kryeministrit

Projektligji i miratuar parashikonte ndër të tjera se ky institucion ka të drejtën për të përgjuar të gjithë ata individë që me veprimet e tyre synojnë të përmbysin sistemin e demokracisë parlamentare. Megjithëse dispozita e parashikuar mbetet evazive, ajo nënkupton të drejtën e përgjimit të përfaqësuesve të opozitës duke e kthyer këtë institucion në një instrument tërësisht politik. Midis të tjerave, ndryshimet në këtë ligj zhvlerësojnë firmën e Presidentit të Republikës në emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it. Kjo për faktin se propozimet e kryeministrit, para se t’i dërgohen Presidentit, do të marrin miratimin e Kuvendit. Pasi propozimet marrin miratimin e Kuvendit, atëherë situata bëhet e vështirë për presidentin që të mos i miratojë emrat e propozuar nga kryeministri, që gëzojnë mbështetjen e shumicës parlamentare, ndaj dhe firma e tij kthehet në një procedurë formale të parëndësishme. Po kështu në këtë draft parashikohet se “drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij. Sipas përcaktimeve të kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave”.

Shalsi: “Projektligji për SHISH-in, Berisha, i papërgjegjshëm”

Partia Socialiste i ka bërë thirrje maxhorancës që të rishikojë projektligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit, i cili është miratuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve pa prezencën e deputetëve socialistë. Deputeti Eduard Shalsi shprehu shqetësimin se kryeministri Sali Berisha me një kryeneçësi primitive vazhdon të ecë në udhën e tij pa të ardhme duke dashur të rrëmbejë një tjetër institucion për të vendosur një kontroll mbi të gjitha institucionet. Gjithashtu, Shalsi shprehu shqetësimin edhe të shoqërisë civile, por ai vuri theksin më tepër edhe te kontradikta me partnerët ndërkombëtarë, që sjell miratimi i këtij ligji. “Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për reforma, ligje dhe institucione demokratike në shërbim të qytetarëve, me projektligjin tashmë të miratuar në Komisionin e Ligjeve Sali Berisha rihap një plagë nga e cila vuajtën të gjithë shqiptarët kur ai ishte president, plagë që e mbajnë mend mirë ende, SHIK-u famëzi”, - u shpreh Shalsi. Më tej Shalsi u ndal tek zgjedhjet e 28 qershorit, duke u shprehur se Berisha po shfaq papërgjegjshmëri të njëpasnjëshme. “Prej kohësh kemi kërkuar një transparencë të thellë dhe të plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit duke besuar fillimisht atë që tashme është e provuar me fakte të pakontestueshme, që rezultatet e tij ishin një deviacion flagrant i vullnetit të popullit”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar: “Një krim i pahetuar dhe i pandëshkuar është një krim që mund të përsëritet ashtu siç ka ndodhur me zgjedhjet pa standarde në këta pothuaj 20 vjet tranzicioni në Shqipëri. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo periudhë dramatike nga shumë pikëpamje për Shqipërinë”. Sipas tij, Shqipëria e dhjetëvjeçarit të kaluar e ka paguar me një çmim të lartë, tepër të lartë, papërgjegjshmërinë, primitivitetin dhe arrogancën e Sali Berishës president. Shqipëria e këtij dhjetëvjeçari nuk do t’ia falë Sali Berishës kryeministër, pa legjitimitet moral, kthimin mbrapsht të historisë që ne do të donim të ishte arkivuar njëherë e përgjithmonë.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›