E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kriza e borxheve dhe e euros si shpata e Demokleut mbi Lekun tonë

TIRANË Kryeministri Sali Berisha, në fjalimin që mbajti në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, vuri në dukje arritjet e vendit të tij, si një prej pak vendeve të botës, ekonomia e së cilës i ka mbijetuar krizës aktuale ekonomike në botë dhe nuk rrëshqiti në recesion. Ai tha se Shqipëria është një vend demokratik, me zgjedhje të lira, shtyp të lirë, respekton të drejtat e pakicave dhe ato fetare si dhe respekton shtetin juridik. Megjithëse renditi një sërë arritjesh dhe masash që qeveria ka marrë për ekonominië, ai në fund theksoi se “megjithatë, më duhet të theksoj se kriza e borxheve dhe kriza e Euros në BE qëndron si shpata e Demokleut mbi Lekun tonë dhe mbi kokën e ekonomisë shqiptare. Ndaj edhe shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje vendeve të Eurozonës që, në kuadër të përpjekjeve të tyre të mëdha e serioze, për kapërcimin e problemeve aktuale, të konsiderojnë edhe pasojat e kësaj krize mbi ekonominë tonë dhe të vendeve të lidhura shumë ngushtë me Euron”.

Lidhur me Kosovën, kryeministri Berisha bëri thirrje që edhe shtete të tjera të njohin pavarësinë e saj, si një faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe paqes në rajon. Ai tha se Shqipëria mbështet qeverinë e Kosovës për të shtrirë respektimin e ligjit në të gjithë vendin, përfshirë edhe veriun e tij. Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare se raporti i senatorit zviceran Dick Marty ka akuza të pabazuara, madje e krahasoi raportin e zotit Marty me raportin e kryeprokurorit të krimeve të luftës në Serbi, Vukçeviç. Lidhur me çështjen më të mprehtë të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shtetin palestinez, kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare mbështet plotësisht idenë e një Palestine të pavarur, por ai u bëri thirrje palestinezëve që të vazhdojnë bisedimet me Izraelin në bazë të nismës së re të Kuartetit për paqen në Lindjen e Mesme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›