E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pakti” i PS-së, Paloka: Rama kërkon pushtet në tavolinë

TIRANË Në mungesë të një qëndrimi zyrtar nga ana e kryeministrit, Sali Berisha, i cili vijon vizitën e tij në Nju Jork, mazhoranca ka përcjellë mesazhe jo fort pozitive për paketën e parashtruar nga Rama dy ditë më parë. Pas deputetes Adriana Gjonaj, është deputeti demokrat Edi Paloka i cili e sheh përmbajtjen e paketës prej 10 pikash të kryetarit të opozitës, Edi Rama, si një kërkesë për pushtet. "Unë flas në emrin tim personal në këtë rast, po mendoj që kjo është logjika e thjeshtë e gjërave, dhe sigurisht kërkesa do shqyrtohet, por duket thjesht një farsë. Kushti, që ai e quan kusht, i pengmarrjes në këtë rast është integrimi i Shqipërisë. Pra, zoti Rama thotë në këmbim të integrimit të shqiptarëve, unë dua pushtet. Kërkon atë që ka kërkuar gjithmonë, pushtet në tavolinë",- tha Paloka. Deputeti i PD-së shtoi se nuk mund të bëhen pazare me integrimin, ndërsa vlerëson së gjithë kjo lëvizje e Edi Ramës bëhet vetëm për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. "Mos harrojmë që ka qenë zoti Rama që e ka kërkuar votimin për zgjedhjen e Presidentit me 71 vota, sepse në atë kohë i dukej se do fitonte zgjedhjet dhe do të ishte ai që do të zgjidhte edhe presidentin. Tani që ka humbur kërkon të ndryshojë kushtet e lojës", - vijoi Paloka. Dy ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka prezantuar 10 pikat e “Paktit për Shqipërinë”, të cilat synojnë konsensusin, duke filluar që nga reforma parlamentare, e deri tek zgjedhja e krerëve të institucioneve kushtetuese si dhe miratimi i ligjeve me 3/5-at.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›