Takimi me Nënsekretarin Burns, Berisha jep garanci vetëm për reformën zgjedhore
“Kryeministri Berisha e siguroi Nënsekretarin Burns për gatishmërinë e qeverisë shqiptare, për të përmbushur të gjitha reformat për integrimin europian. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e realizimit me sukses dhe konsensus e vullnet pozitiv të reformës zgjedhore”
TIRANË Paketa e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, e pagëzuar si “Pakti për Shqipërinë si gjithë Europa”, duket se nuk do të ketë ndonjë pritshmëri konkrete nga ana e mazhorancës, përveç premtimit konstant për të realizuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Edhe pse ndodhet në Nju Jork, ku merr pjesë në punimet e sesionit të 66 të OKB-së, kryeministri Sali Berisha ka përcjellë sinjale të qarta mbi çdo lëvizje të ndërmarrë nga opozita. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për takimin, që ai ka zhvilluar në Nju Jork me Nënsekretarin amerikan të Shtetit, Ëilliam Burns. Në njoftimin për shtyp të kryeministrisë, thuhet se kreu i ekzekutivit e njohu Nënsekretarin Burns mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si në ekonomi, shëndetësi, arsim etj... Kryeministria sqaron përmes njoftimit zyrtar se gjatë takimit, kryeministri Berisha i është shprehur nënsekretarit amerikan se zgjedhjet vendore të vitit 2011 ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara, të cilësuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë si kompetitive dhe transparente. Ai vlerësoi kthimin e opozitës në parlament si një hap në drejtim të normalizimit dhe kthimit në kornizën institucionale të jetës politike, pas një bojkoti mëse dy vjeçar dhe një qëndrimi bllokues të vazhdueshëm. “Kryeministri Berisha e siguroi Nënsekretarin Burns për gatishmërinë e qeverisë shqiptare, për të përmbushur të gjitha reformat për integrimin europian. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e realizimit me sukses dhe konsensus e vullnet pozitiv të reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe gatishmërinë e mazhorancës për ta nisur menjëherë atë, së bashku me opozitën”,- thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë. Nga ana e tij, Nënsekretari Burns u shpreh se lista e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e ekonomisë, edukimit, infrastrukturës është impresionuese dhe tregues i asaj, që mund të arrihet. Nënsekretari Burns inkurajoi vazhdimin e reformave dhe ecjen përpara. Ndërkohë, dy ditë më parë, përmes një konference për shtyp, kryetari i opozitës, Edi Rama, paraqiti për mediat një paketë prej 10 pikash të cilat trajtojnë në mënyrë të detajuar nevojën e konsensusit për çështjet më të mprehta që janë shtruar për zgjidhje. Pakti nis me votimin me konsensus të rregullave të bashkëjetesës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, vijon me domosdoshmërinë për një reformë zgjedhore, duke marrë parasysh rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE-ODIHR-it e deri tek e drejta e opozitës për të pasur tre anëtarë në Këshillin e mbikëqyrjes së BSH-së, zgjedhjen me konsensus të të dyja palëve të drejtuesit të këtij institucioni si dhe një sërë çështjesh të tjera, që i adresohen kabllogrameve të Ëikiliks dhe punës së Prokurorisë.
N.P