Dule: Pse kam munguar në tryezat e opozitës
Dule për bashkëpunimin me PS-në: “Duhet të jemi të qartë dhe të përshtatemi, që bashkëpunimi politik nuk mund të jetë produkt i ditës dhe që konsumohet brenda ditës. Janë kushtet objektive ato që imponojnë këto bashkëpunime”
TIRANË Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është ndër të vetmit lider partie në opozitë, që ka shmangur jo pak takimet me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Në tryezën e fundit të bisedimeve për zgjedhjet, Dule mungoi edhe pse mos-prania e tij u justifikua me arsye objektive. Megjithatë, në një intervistë televizive, Dule thyen heshtjen duke folur pikërisht mbi raportet e PBDNJ-së me PS-në. “Jo domosdoshmërisht të gjithë duhet të jenë në të gjitha takimet. Nuk bëhet fjalë për përçarje”,- tha Dule. Kryetari i PBDNJ-së ka nënvizuar se bashkëpunimet nuk mund të jenë produkt i ditës dhe se PBDNJ-ja është gati të japë kontributin e saj, vetëm aty ku ka hapësirë. “Duhet të jemi të qartë dhe të përshtatemi, që bashkëpunimi politik nuk mund të jetë produkt i ditës dhe që konsumohet brenda ditës. Janë kushtet objektive ato që imponojnë këto bashkëpunime, nuk mund të jenë vullnetet e liderëve politikë, që të mund t`i shpërbëjnë këto bashkëpunime. Jemi me këtë realitet me sfidat e përbashkëta që kemi. Aty ku ka hapësirë për bashkëpunim, do të ketë bashkëpunim”, - tha Dule. Të hënën e 20 shtatorit, kryesocialisti Edi Rama mblodhi tryezën e aleatëve në selinë e PDK-së, ku veç Dules munguan edhe kreu i PSD-së, Gjinushi dhe kryetari i PLD-së, Ngjela. Tryezat e inicuara nga Rama do të jenë të përjavshme deri sa partitë e opozitës të bien dakord për një draft të përbashkët lidhur me zgjedhjet. Në tryezën e së martës, partitë pjesëmarrëse ranë dakord që të punojnë si një subjekt i vetëm politik, në lidhje me reformën. Diskutimet mes partivë të opozitës sapo kanë filluar, për të vijuar më pas edhe me qëndrime konkrete. Pikërisht në këtë fazë, pritet që të ketë pjesëmarrje edhe të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili referuar deklaratës sa më sipër, ka lënë të kuptohet se do të bëhet pjesë e diskutimeve vetëm për ato çështje ku interesi do të jetë i përbashkët. Parimisht, PBDNJ-ja nuk është pro ndryshimit të sistemit zgjedhor. Pak kohë më parë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është shprehur se nëse garatohen standarde tek listat e zgjedhësve, kartat e identitetit dhe mbajtja larg komisioneve të militantëve, nuk është e nevojshme të ndryshohet sistemi i përcaktuar aktualisht në Kushtetutë.