Shqipëria hap dyert për plehrat e Napolit, merr me vete edhe Sacra Corona Unita

Pamje nga protestat në Napoli për çështjen e plehrave
Marrë nga AMI (Agenzia Multimediale Italiana)
Shqipëria u hap dyert mbeturinave të Europës, përfshirë Napolin. Sipas qeverisë së Tiranës: Vendi ynë nuk arrin të furnizohet me lëndë të parë për industrinë tonë të riciklimit, prandaj edhe jemi të detyruar të importojmë mbeturina dhe ti riciklojmë në vend.
Qeveria e Tiranës parashikon hyrjen, pa asnjë detyrim doganor, të 50 tipave të mbeturinave që do të përfundojnë sipas saj si lëndë e parë në industrinë shqiptare të sapolindur të riciklimit. Lajmi meriton vëmendje. Kini kujdes!
«Nuk do të importojmë lëndë të parë të dëmshme, radioaktive apo të paricikliueshme», ka siguruar Ministria e Ambientit në Tiranë.
Por ja që, ndërkohë, në portin e Barit, është sekuestruar tashmë një ngarkesë e parë prej 69 frigoriferësh dhe 92 lavatriçesh të vjetra, të drejtuara drejt brigjeve shqiptare. I gjithë malli mund të quhet i riciklueshëm, pavarësisht se përmban substanca të rrezikshme.
Shqipëria nuk ka një legjislacion dhe standard europian në këtë fushë. Ndoshta është kjo arsyeja që me sa duket, pas vendeve afrikane, edhe Shqipërisë i bie fati të bëhet kazan mbeturinash i vendeve të pasura.
***
Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut e një problemi që prek Shqipërinë nga më shumë se 20 vjet. Mbeturinat mblidhen pa kriter në periferitë dhe menaxhimi i tyre në brendësi të qyteteve është shumë i keq.
Në bazë të statistikave të Organizmave Ambientaliste Ndërkombëtare, ky problem e bën Shqipërinë një nga vendet më të ndotura të Europës. Në Shqipëri nuk ekzistojnë as strukturat e nevojshme dhe as infrastrukturat për të klasifikuar mbeturinat për riciklim.
«Kjo është një lëvizje politike që do të sjellë përfitime ekonomike vetëm për një grup të ngushtë personash, që do të merren me riciklimin», thuhet lidhur me vendimin e fundit për të lejuar të hyjnë plhrat, ama vetëm ato të riciklueshme. Dhe, pa dyshim, nga kjo do të përfitojnë vendet që po kalojnë emergjenca në këtë sektor, siç është Italia.
Në fakt, nuk është rastësi që Shqipëria u hap dyert mbeturinave europiane pikërisht tani. Në një nga takimet e tij të kohëve të fundit, kryeministri shqiptar ka folur për këtë çështje me homologun italian, Silvio Berluskoni.
Dhe në fakt duket se qeveria shqiptare aktuale nuk e ka shumë për zemër çështjen e ambientit. Të shumta janë projektet me rrezik të lartë për ambientin: furnizimi me rërë shqiptare për brigjet e Leçes, projekt për ndërtimin e një impianti heliocentrik në parkun kombëtar të Karaburunit energjia e të cilit do ti shkonte Italisë projektet për centrale të ndryshme dhe të një centrali me karbon në ndërtim në afërsi të Durrësit, si dhe ambicie nukleare italo-shqiptare që do ta bënin Shqipërinë një superfuqi të vogël energjetike, sipas Berishës së tyre.
Impiantet e reja të riciklimit?
Por, historia e mbeturinave të importuara nuk është e re në Shqipëri. Që në vitet 90 një ish-funksionar ka deklaruar se ishte në dijeni të sasive të ndryshme të mallrave ushqimore të skaduara dhe të duhanit që importoheshin dhe groposeshin në territorin shqiptar.
Aktualisht, në Shqipëri, industria e riciklimit është një risi e viteve të fundit, por disa shoqëri, tashmë, janë pajisur me lejet përkatëse për të ndërtuar impiante riciklimi, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të ish-ministrit të Energjetikës, si aksionerë të një shoqërie italiane që duhet të ndërtojë një impiant përpunimi të mbeturinave për të prodhuar, sipas tyre energji elektrike.
Mblidhen mbeturinat në periferi
Në Shqipëri, riciklimi i mbeturinave mbetet sporadik dhe shpeshherë mbledhja e tyre bëhet në periferitë e qyteteve, ku popullsia rome dhe të varfrit zhyten, (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës), për të nxjerrë që andej materialet e pakta që mund të riciklohen, siç janë kënaçet dhe objektet metalike.
Ata që nxorën në dritë në Europë emergjencën e mbeturinave shqiptare ishin fqinjët kroatë. Një sasi mbeturinash të llojeve të ndryshme me etiketa shqiptare mbërriti ca kohë më parë në brigjet e tyre. Një Shqipëri lajmi nuk ka habitur asnjë njeri, ndërkohë që mediat kanë shfaqur në ekranet kombëtare gjendjen e lumenjve dhe që liqeneve të përdorura gjerësisht si grumbullues për mbeturina urbane, por edhe për ato organike dhe toksike spitalore.
Reagimi nga qeveria shqiptare
Kur qeveria përgatiti disa muaj më parë projekt-ligjin për importin e plehrave, maskuar nën logot e riciklimit dhe për nevoja të papritura të ricikluesve – Shekulli kërkoi një prononcim zyrtar lidhur me çështjet që janë rrahur këto ditë në opinionin publik dhe që rishfaqen në artikuj të ditëve të fundit edhe në median italiane. Në emër të qeverisë, ka ardhur një reagim nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të cilën po e botojmë më poshtë. Të bën përshtypje që përdoren të njëjtat terma që përdoreshin në vitin 2004 nga ish-kryeministri Nano dhe ish-ambasadori italian (një mbrojtës i flaktë i marrëveshjes Nano-Beketi). Asokohe z. Nano dhe përfaqësuesi i qeverisë italiane në Tiranë i quajtën Shekullin dhe gjithë kundërshtarët e tjerë të shumtë të projektit për import plehrash (përfshirë ish-opozitën e Berishës) si përfaqësues të mafies ndërkombëtare dhe ekomafies. E njëjta gjuhë përdoret nga qeveria e sotme, dikur opozitë kundërshtuese e flaktë e importit të plehrave. Ja teksti i reagimit që ka mbërritur me e-mail në redaksinë e Shekullit:
Në emër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Z.Genc Ruli dua tju sqaroj se nuk ekziston ndonjë çështje plehrash apo import plehrash. Gjithçka është një sajesë nga ana e opozitës dhe mafia ndërkombëtare.
Legjislacioni i miratuar së fundmi, i keqinteprteuar me qëllim, vetëm disiplinon në mënyrë strikte importin ose jo të mbetjeve urbane. Lajme të tilla si ky që ju sot citoni, fatkeqësisht nxiten dhe serviren nga zëra të brendshëm, që i shërbejnë mafies së organizuar, që merret me industrinë e paligjshme të plehrave në vendet rrotull.
Prandaj, lajme të tilla i vijnë për shtat gjuhës dhe taktikave që ndjek kjo mafie. Së fundi, zoti Ruli, në asnjë nga funksionet e tij qeveritare, qoftë në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, qoftë në krye të asaj të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nuk ka pasur të drejtë ligjore për të licencuar aktivitete të ricklimit apo të përpunimit të plehrave