E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, homoseksualët në Shqipëri do të mbajnë poste publike

Eljona Ballhysa
Homoseksualët në Shqipëri mund të zgjidhen, të emërohen në poste publike apo të merren me politikë. Kjo është parashikuar në projektligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i depozituar së fundi në Kuvend nga pesë deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe një deputet i LSI-së. Drafti i firmosur nga Mark Marku, Raimonda Bulku, Paulin Sterkaj, Selami Xhepa, Viktor Gumi e Nasip Naço nuk parashikon në asnjë nen të tijin ligjërimin e martesave brenda gjinisë, ashtu sikurse ka premtuar pak kohë më parë kryeministri Berisha. Por ajo që sjell ky projektligj është mundësia që i krijohet kësaj kategorie për t’u zgjedhur apo emëruar në poste publike.
Postet
Pikërisht kjo e drejtë është parashikuar në Nenin 9 të këtij projekti, që pritet të përfshihet së shpejti në axhendën e punimeve të komisioneve parlamentare. “Pjesëmarrja në politikë. Ndalohet diskriminimi në ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur, për t’u zgjedhur dhe për t’u emëruar në një detyrë publike”, - shkruhet në Nenin 9 të draftit për mbrojtjen nga diskriminimi. Ndërkaq, Berisha, megjithëse deklaroi pak muaj më parë se në Shqipëri do të ligjërohen martesat brenda gjinisë, kjo nuk është parashikuar në këtë projekt. Duket se qeveria shqiptare është tërhequr nga kjo deklaratë duke pasur parasysh reagimin e ashpër të komuniteteve fetare në Shqipëri, por edhe faktin se martesat brenda gjinisë i kanë lejuar vetëm pak shtete europiane.
Projekti
Projektligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” ka si qëllim “të parandalojë dhe të ndëshkojë të gjitha format e diskriminimit sipas fushave konkrete, për shkaqe që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet politike, fetare ose filozofike, statusin ekonomik, arsimor, shoqëror, shtatzëninë, përkatësinë e përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, statusin shëndetësor, predispocione gjenetike, paaftësinë, përkatësinë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër”. Për hartimin e këtij ligji është marrë në konsideratë edhe projekt-direktiva e Këshillit të Europës e 2 korrikut 2008 mbi implementimin e principeve të trajtimit të barabartë midis personave, pavarësisht nga feja, ose besimi, paaftësia, mosha ose orientimi seksual. Ky projektligj merr përsipër të mbrojë individë që i përkasin një grupi të veçantë, ndjehen të veçantë dhe kanë nevojë të respektohen si gjithë të tjerët. Diskriminimi në bazë të këtij projektligji është çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë bazuar në cilëndo arsye që ka si qëllim apo pasojë pengesën apo bërjen të pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët të të drejtave e lirive themelore të njohura në Kushtetutën e Shqipërisë. Diskriminimi përfshin të gjitha format e diskriminimit, të tilla si: diskriminim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, diskriminim për shkak të shoqërimit, diskriminim për më shumë se një arsye, ngacmim, udhëzim për të diskriminuar, ose mohimi i një përshtatjeje të arsyeshme. Ngacmim është ajo formë diskriminimi që ka për qëllim apo efekt cenimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues a ofendues për atë person, si dhe në rastin e një trajtimi më pak të favorshëm, i kryer si rezultat i kundërshtimit ose i mosnënshtrimit nga ana e personit të cenuar ndaj një sjelljeje të tillë.

Berisha: “Do të lejojmë martesat e homoseksualëve”

Në mbledhjen e 29 korrikut të Komitetit Ndërministror të Integrimit, kryeministri Berisha u shpreh se është gati ligji për lejimin e martesës të personave të së njëjtit seks. “Një ligj tjetër është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile. Duhet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Unë mendoj se pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte, tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet europiane. Ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi. Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. Fatmirësisht nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik, dhe kjo është një arritje e vërtetë. Ky është një standard që ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar t’i respektojë. Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin sepse është opinioni. Më mirë të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin”, - është shprehur Berisha.

Projektligji parashikon ngritjen e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë

Në bazë të këtij drafti është parashikuar ngritja e një institucioni të veçantë, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, i cili do të shqyrtojë të gjitha ankesat që kanë të bëjnë me personat e veçantë, që lidhet me diskriminimin që parashikohen në nenin 1 të këtij projekti. Komisioneri do të ndihmohet nga të paktën një zv.komisioner dhe tre ekspertë. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi me një shumicë të thjeshtë të deputetëve dhe ka një mandat pesëvjeçar. Në Nenin 26 është përcaktuar se “komisioneri paraqet një raport të paktën një herë në vit përpara komisioneve të Kuvendit”. Në projekt është parashikuar që komisioneri të jetë i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Paga e komisionerit barazohet me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga e zëvendëskomisionerit është 80% e pagës së komisionerit. Komisioneri zgjidhet nga shumica e thjeshtë e anëtarëve të Kuvendit. Kandidatët për komisioner i propozohen Kuvendit nga një deputet, një grup deputetësh, si dhe nga organizata të shoqërisë civile. Para marrjes së detyrës komisioneri bën betimin para Kuvendit dhe betohet për mbrojtjen e barazisë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Më tej në projektligj parashikohen kushtet që duhet të përmbushë një kandidat për komisioner. Ai duhet të ketë cilësi të larta morale e veprimtari të shquar në komunitet, të ketë një diplomë universitare, të paktën 10 vjet përvojë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, të mos jetë deputet dhe të mos jetë të pakën vitin e fundit anëtar i organeve drejtuese të një partie.

Gjoba në rast se shkelen nenet e këtij ligji

Në Nenin 33 të projektligjit është përcaktuar dhe vendosja e gjobave në rast se konstatohet se ka raste që diskriminohen persona të ndryshëm. Në rast se diskriminimi ushtrohet nga zyrtarët e administratës shtetërore, gjoba maksimale e vendosjes është 1 milion lekë (të rinj). Ndërsa gjoba maksimale ndaj bizneseve dhe institucioneve joqeveritare është 10 milionë lekë. Gjoba minimale është 20 mijë lekë të rinj. Vendimi për vënien e një mase ndëshkimore me gjobë cakton gjithashtu dhe afatin e arsyeshëm brenda të cilit paguhet gjoba. “Si mjet i fundit, veçanërisht kur shkelësi nuk i përmbahet vendimit të komisionerit ose nuk e paguan gjobën brenda tre muajve pas afatit të caktuar nga komisioneri dhe sanksioni nuk është kundërshtuar në gjykatë, komisioneri mund t’u kërkojë autoriteteve kompetence heqjen apo pezullimin e lejes ose autorizimit të shkelësit për ta ushtruar veprimtarinë e tij. Shkelësi ndaj të cilit merret masa ndëshkimore me gjobë ka të drejtë të ankohet në gjykatën kompetente sipas Kodit të Procedurës Civile”, - thuhet në pikën 15 dhe 16 të Nenit 33. Ndërsa gjoba pas arkëtimit derdhet në Thesarin e Shtetit.

19 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›