E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kursi aktual i lekut, "tërësisht i pranueshëm"

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi se kursi aktual i këmbimit të lekut është "tërësisht i pranueshëm", ndërsa hoqi çdo përgjegjësi nga vetja për panikun e javës së kaluar, duke thënë se paniku qe pasojë e "ekos që media i bëri deklaratës së tij". Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, Berisha deklaroi: "Ka një dobësim të lekut në masën 7-10 për qind, por kjo gjë nuk e dëmton ekonominë, për sa kohë nuk ka efekt te çmimet e konsumit". Berisha foli edhe për të mirat që sjell leku i dobët, duke thënë se "në këtë mënyrë nxiten eksportet", ndërsa përmendi edhe efektin negativ të shtrenjtimit të kredive që shqiptarët kanë marrë në euro. Berisha shtoi se ajo që ka ndodhur deri tani me vlerën e lekut "është në kuadrin e një fleksibiliteti tërësisht të pranueshëm".

Kryeministri refuzoi që deklarata e tij për "dorëzim para euros", e bërë përballë guvernatorëve të bankave qendrore të rajonit, nuk mund të ketë pasur efekt te kursi i këmbimit. "A ndikoi kjo deklaratë?! Nuk e përjashtoj mundësinë e një ndikimi të lehtë, por çështja e deklaratës ka të bëjë me një plan perspektiv dhe aspak imediat. Qe ekoja që media i bëri fjalëve të mia", - deklaroi ai.

Leku shqiptar humbi më shumë se 3 për qind të vlerës kundrejt euros gjatë javës së kaluar, duke shënuar nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2003. Rënia e shpejtë detyroi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe ministrin e Financave Ridvan Bode, t‘u bënin thirrje shqiptarëve të mos kapeshin nga paniku.

Pak ditë më herët, në një deklaratë përballë së gjithë medias, Kryeministri Sali Berisha foli për herë të parë për dobësimin e lekut, duke shpallur se dobësimi qe "tërësisht i pranuar" dhe se ishte si shkak i "euros që është monedhë e fortë e që na bën presion". Deklarata e Berishës u mbyll me thënien se "ne duhet të dorëzohemi tek euro dhe të fillojmë ta përdorim atë si monedhë".

Sipas Bodes dhe Fullanit, deklarata e Kryeministrit qe keqkuptuar dhe se leku do të mbetet monedha jonë edhe për shumë vite. Ministri i Financave akuzoi "segmente të opozitës" për shfrytëzimin e deklaratës së Kryeministrit për të përhapur panik, ndërsa vetë Berisha, mendon se ekoja që i dha media fjalëve të tij e solli problemin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›