E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Kushner: Franca mbështet heqjen e vizave

Ministri i Jashtëm francez, Berndard Kushner i ka dhënë mbështetjen Shqipërisë në emër të vendit të tij, për liberalizimin e vizave. Gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Berisha, në vizitën që ky i fundit po zhvillon në Paris, me ftesë të presidentit Sarkozy, ministrit francez, vlerësoi edhe kandidimin e Shqipërisë në BE, ku veçoi mosekzistencën e pengesave nga Franca dhe nga vendet e tjera të BE. Në këtë drejtim Kushner ka vlerësuar rolin e kryeministrit Berisha dhe të qeverisë së tij, të cilët e quajnë integrimin në BE si një proces të pandalshëm. Unë mendoj se qeveria dhe kryetari i saj Berisha, po veprojnë me mençuri, duke quajtur integrimin në Bashkimin Evropian një proces të pandalshëm dhe bazuar në meritat që Shqipëria i ka dhe po i mban me vendosmëri, ka deklaruar ministri francez, duke e cilësuar të rëndësishëm faktin që qeveria shqiptare nuk po ndalet dhe po vazhdon në ruajtjen, thellimin dhe forcimin e këtyre meritave dhe reformave. Gjatë këtij takimi, Kushner ka përgëzuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për reformat jashtëzakonisht të shpejta dhe efikase. Zhvillimi i Shqipërisë dhe reformat e thella që e kanë ndryshuar rrënjësisht atë, janë në sytë e të gjithëve dhe e gjithë bota po sheh këto ndryshime. Ne konstatojmë arritje të mëdha, të prekshme në sytë e botës, ka nënvizuar Kushner. Në këtë drejtim ministri francez nënvizoi veçanërisht luftën shumë efikase dhe të suksesshme me zero tolerancë, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas së cilit tani Shqipëria, ka një imazh të ri në sytë e Europës dhe gjithë botës dhe ajo është një vend i sigurt, ku të gjithë investitorët francez, por edhe turistët, e vizitojnë me kënaqësi atë. Më tej, Kushner ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, ku është ndaluar në perspektivën e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilën e ka vlerësuar të shkëlqyer. Gjithashtu, ai lajmëroi se së shpejti, një delegacion me biznesmenë francezë do të vizitojë Shqipërinë. Ata do të njihen nga afër me potencialet e mëdha të vendit, duke paraqitur edhe projekte të qarta dhe të sakta bashkëpunimi, në fushën e energjetikës, në shfrytëzimin e pasurive minerale, në fushën e turizmit, duke qenë se Franca ka si traditë ndërtimin e resorseve turistike në botë, si dhe në fusha të tjera. Ndërsa në fjalën e tij, kryeministri Berisha duke u ndaluar në investimet në Shqipëri, Berisha siguroi se qeveria shqiptare dhe gjithë institucionet e saj, do të vazhdojnë të mbështesin me të gjitha mënyrat investitorët e huaj, në mënyrë që investimet e tyre në vendin tonë të jenë një histori suksesi. Në këtë takim, të zhvilluar mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm francez Berndard Kushner është diskutuar dhe për situatën në rajon dhe për Kosovën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›