E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK prezanton kandidatët për qarkun e Shkodrës, kryeson Ndoka

Partia Demokristiane ka prezantuar listën e 11 kandidatëve, të cilët do të konkurrojnë për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, në qarkun e Shkodrës. Kjo listë, në të cilën përfshihen emra të njohur të politikës shqiptare, kryesohet nga kryetari i kësaj partie, deputeti Nard Ndoka. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kryetari i PDK-së, dega Shkodër, Mark Kroqi ka shprehur bindjen se kandidatët e përzgjedhur përfaqësojnë vlerat më të mira qytetare dhe kristiane të qarkut Shkodër. Demokristianët, të bashkuar me një grupim partish të qendrës së djathtë, në koalicionin politik Poli i Lirisë, në partneritet të ngushtë edhe me shoqërinë civile, qarqet akademike dhe universitare, shtresën e ish të dënuarve politikë, shtresën e ish-pronarëve, përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshëm, po krijojmë një lëvizje të re politike, që do të sjellë ndryshimin e vërtetë në Shqipëri, ka nënvizuar Kroqi, i cili ka shprehur bindjen se pas zgjedhjeve PDK dhe Poli i Lirisë do të jenë në qendër të zhvillimeve politike. Sepse, sipas tij qendër do të prodhojë stabilitet, qeverisje të mire për qytetarët, zbatim të ligjit, dhe një të djathtë të re. Ndër të tjera ai ka theksuar se partia Demokristiane, garanton qeverisjen e mire në shërbim të qytetarëve, dhe vota për të e kthen qytetarin në qendër të vëmendjes, votë që garanton pavarësinë e institucioneve kushtetuese, votë që zëvendëson konfliktin politik me dialogun politik. Kam bindjen se Poli i Lirisë, ku PDK është protagoniste, është grupimi politik i së ardhmes, që do të rilind të djathtën moderne, ka shtuar kryetari i PDK-së, dega Shkodër. Në listën e kandidatëve për deputet, bën pjesë deputeti Frrok Gjini, i cili gjatë këtij mandati në parlament ka përfaqësuar qytetarët e Pukës. Gjithashtu, për Partinë Demokristiane, konkurron edhe Mark Luma, ish kryetar komune, propozuar nga dega e PDK-së, në SHBA, kandidat në Malësinë e Madhe. Ndër të tjera në këtë listë, renditet edhe emri i juristes, Alma Kurti, emri i përfaqësueses së forumit rinor Alba Pistulli, emri i ekonomistes Flora Gjelaj. Kandidatët për deputet, të cilët do të garojnë nën siglën e Partisë Demokristiane në qarkun e Shkodrës, janë edhe; ish deputeti, kryetari i PDK-së, Shkodër Mark Kroqi, juristi Xhevat Hoxha, një tjetër jurist, student i Dhjetorit, Gjelosh Prendi si dhe biznesmeni, Broz Pjetrani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›