Bumçi sulmon Ramën për shpenzimet e larta në Bashkinë e Tiranës
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Deputeti Aldo Bumçi ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si përgjegjës për shpenzime super në administratën që ai drejton. Nga viti 2002 deri në vitin 2008 Bashkia e Tiranës i ka rritur 4 herë shpenzimet operative në zërin Administrim i përgjithshëm, ka theksuar ai duke veçuar si përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, kryetarin e Bashkisë, Ramën. PD pretendon se Bashkia Tiranë shpenzon administratën e saj të vogël aq sa merr nga buxheti i shtetit një Bashki e madhe si ajo e Shkodrës, Elbasanit apo Durrësit.
Shpenzimet administrative gjithsej për 11 njësi, për një vit buxhetor bëhen 230 milion lekë, shifër e barabartë me grandin që përfitojnë nga buxheti i shtetit një bashki e madhe si Shkodra, Elbasani dhe Durrësi. Shpenzimet administrative për 1 mijë banorë të Bashkisë Tiranë janë 35 % më të larta se sa Bashkia Shkodër, 33 % më të larta se Bashkia Vlorë, 23 % më të larta se Bashkia Korçë A është ky një administrim modern dhe eficent i qytetit, ku struktura të tëra më qindra njerëz mbahen të papunë?, u shpreh Bumçi. Sipas deputetit demokrat, shpenzimet administrative të institucionit që drejton kryeqytetin, jo vetëm nuk duhet të ishin më të larta se qytetet e tjera, por duhet të ishin më të ulëta, pasi sipas ligjit të Ekonomisë së shkallës, sa më e madhe është një njësi/ndërmarrje, aq më shumë ulen shpenzimet. Këto fonde janë taksat e qytetarëve të Tiranës, që kryebashkiaku duhet t'ia kthente qytetit me investime dhe jo ti shpërdoronte për shpenzime administrative, nënvizoi Bumçi. Bumçi e ka akuzuar vetëm dy ditë më parë kryebashkiakun Rama se situata është shqetësuese tek lagjet e vjetra të Tiranës, ku veçoi faktin se këto lagje nuk trajtohen si njësi të integruara ndërtimi, por duke dhënë një leje këtu e një atje, duke i lënë pa një zhvillim urban. Në të gjitha rrugicat që lidhin rrugën e Kavajës me rrugën Myslym Shyri dhe tek lagjet e vjetra të Tiranës, shtëpitë përdhese janë zhvlerësuar. Kjo është trashëgimia që Rama po i lë këtij shteti. Ai që nuk është pjesë e ortakërisë së kryetarit të bashkisë, ndëshkohet, ka pohuar Bumçi. Gjithashtu ai ka theksuar se Edi Rama po përdor dy standarde në dhënien e të drejtës për dhënien e lejeve të ndërtimit, duke përmendur këtu planin francez për qendrën e kryeqytetit, ku veçon faktin se Rama ka dhënë leje ndërtimi në bazë të njohjeve të tij politike dhe ekonomike. Sipas planit francez, që njihet ndryshe dhe si plani i kullave të kryetarit të bashkisë, një pronë mund të zhvillohet, ndërsa pronës tjetër i thuhet se duhet të qëndrojë zonë e gjelbër. Kështu është në shumë pika të tjera të planit francez. Ky është një shembull, kemi dy pronarë të vjetër të cilët kanë të drejtë të zhvillojnë pronën e tyre. Ka një mënyrë sesi zgjidhet kjo, që është menaxhimi i tokës. Të dyja pronat njëjtësohen dhe dy pronarët përfitojnë, deklaroi Bumçi.