E Diel, 1 Nëntor 2026

Poni: Qytetarët të pajisen me letërnjoftimin, dokument i vetëm për shumë shërbime

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni ka deklaruar se procesi i pajisjes së shtetasve me karta të reja identiteti, po ecën mirë. Sipas tij, mbi 625 mijë shtetas kanë aplikuar për tu pajisur me letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që më shumë se 200 mijë të tjerë e kanë tërhequr atë. Ndër të tjera ai ka informuar se ritmet e aplikimit për letërnjoftimet elektronike, këto ditë kanë arritur kuotat më të larta, ku numri i aplikimeve në ditë, ka kaluar shifrën e parashikuar, mbi 15 mijë të tilla. Koha deri në zgjedhjet e 28 Qershorit, sipas Ponit është më se e mjaftueshme për të pajisur me dokumentin elektronik pjesën më të madhe të shtetasve të cilët nuk kanë pasaportë, duke theksuar se në disa njësi, ky proces do të përfundojë brenda këtij muaji. Ndër të tjera ai ka shtuar se të gjithë qytetarët duhet të jenë të pajisur me këtë dokument, i cili do tu shërbejë si i vetmi dokument i nevojshëm për çdo shërbim. Ligji 8952, mbi bazën e të cilit po veprohet aktualisht, kërkon domosdoshmërish si të vetmin dokument identifikimi, letërnjoftimin e ri elektronik, nënvizon Poni. Sipas tij, në disa njësi kanë aplikuar rreth 70 % e numrit të banorëve pa pasaportë, ndërkohë që ai theksoi se një pjesë e personave pa pasaportë janë jashtë vendit. Meqenëse sistemi është i shtrirë në të gjitha njësitë, Poni sqaroi se qytetarët mund të aplikojnë jo vetëm në komunat e tyre, por edhe në komuna të tjera, pasi e lejon vetë sistemi. Lidhur me pajisjen e studentëve me dokumentin elektronik, ai theksoi se ekziston një listë e saktë e studentëve  që nuk kanë pasaportë, duke shtuar këtu se fakultetet do të blejnë kuponët, të cilat do tua shpërndajnë studentëve pa pasaportë, ndërkohe që pjesa tjetër do të kompensohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›