Berisha u bën thirrje biznesmenëve francezë për investime në Shqipëri
Kryeministri Berisha në hapje të vizitës së tij në Francë, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për nder të tij, nga MEDEF, Shoqata Franceze e Biznesit, ku u ka bërë thirrje investitorëve francezë të vijnë në Shqipëri. Sipas tij, potencialet e mëdha të Shqipërisë dhe reformat ekonomike të ndërmarra, e bëjnë Shqipërinë një nga destinacionet më atraktive për investitorët e huaj në vend, ku veçon faktin se qeveria shqiptare ka mbështetur dhe ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm për krijimin e një klime sa më të favorshme të biznesit dhe afrimin në këtë mënyrë të sa më shumë investitorëve të huaj në vendin tonë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë, duke u ndaluar në çështjen e ekonomisë shprehu bindjen se ekonomia shqiptare do tu rezistojë pasojave të krizës globale, duke njohur rritje edhe për vitin 2009. Të gjithë investitorët, që kanë nisur projektet e tyre në Shqipëri, nuk kanë njohur lëkundje, ndalje, e aq më pak tërheqje nga projektet e tyre madhore, me gjithë krizën ekonomike globale. Me gjithë krizën financiare botërore, për vitin 2008, ekonomia shqiptare ka njohur një rritje të konsiderueshme prej 8 për qind, ka theksuar kreu i qeverisë duke shprehur besimin se ekonomia shqiptare do tu rezistojë pasojave të krizës globale, duke njohur rritje edhe për vitin 2009. Të pranishmit shprehën interes për afrimin e teknologjisë së lartë, si dhe për telekomunikacionin në Shqipëri, për sistemin bankar, për procesin e decentralizimit dhe kompetencat e pushtetit lokal, etj. Ata vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria për lehtësimin e aktivitetet të tyre në Shqipëri, shmangien e procedurave burokratike, vendosjen e taksave të ulëta dhe një sërë lehtësish të tjera administrative.