E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Presidenti Sarkozy mbështet Kryeministrin Berisha për anëtarësimin në BE
Franca mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këtë garanci, kryeministrit Berisha ia ka dhënë presidenti i Francës, Nikola Sarkozy, gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin Elyzee. Shqipëria, në mënyrë të qartë do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca, e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, deklaroi presidenti Sarkozy. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha falënderoi presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm. Gjatë këtij takimi, presidenti francez i uroi mirëseardhjen, kryeministrit Berisha, në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke i shprehur edhe mirënjohjen dhe falënderimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë me forcat e saj përkrah NATO-s në operacionet e saj, si dhe përkrah forcave të Kombeve të Bashkuara në Çad. Presidenti Sarkozy shprehu falënderimet gjithashtu, për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep biznesit francez, duke theksuar se qeveria franceze do të punojë dorë më dorë me qeverinë shqiptare, që do të ketë gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen e saj në të gjitha proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë. Gjithashtu, presidenti francez vlerësoi të merituara arritjet e Shqipërisë, pasi sipas tij asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha deklaroi se qeveria që ai kryeson do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme, duke veçuar në këtë drejtim hapim më të rëndësishëm, pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Duke falënderuar presidentin Sarkozy për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, Berisha përmendi këtu Shqipërinë, si një vend që ka vuajtur shumë nga mungesa e sigurisë ndër vite. Duke dalë nga një diktaturë e egër, është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë mungesën e sigurisë, ndaj anëtarësimi në NATO bën që Shqipëria të ndërtojë lirinë dhe demokracinë e saj, duke u ndjerë edhe më e sigurt. Ky është një inkurajim i ri për të vazhduar thellimin e reformave dhe ju siguroj, për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në këtë rrugë, ka vijuar Berisha. Lidhur me këtë çështje, kryeministri shqiptar përmendi reformat e ndërmarra, shpesh herë të vështira, por kjo sipas tij ka qenë rruga e vetme që shqiptarët të shohin të realizuar ëndrrën për integrimin në NATO dhe atë në BE. Në kuadër të thellimit të reforma, kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri shprehu kënaqësinë që disa kompani franceze po operojnë me sukses në Shqipëri, ku këtu ka siguruar se investimet e kompanive franceze, me mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare, do të jenë një histori suksesi në Shqipëri. Ne jemi një vend i vogël, por me potenciale shumë të mëdha në energjetikë, në minerale, turizëm, kemi një krah pune ndër më të favorshmit në Europë. Ne kemi ndërmarrë reforma të mëdha ekonomike, bëmë ligjin për partneritetin publik privat, në 3-4 vite, ne do të kemi një rrjet të ri infrastrukturor, duke qenë se kemi trashëguar një rrjet të prapambetur, por, mbi të gjitha, për qeverinë time është dhe do të mbetet prioritet arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve tanë, u shpreh kryeministri. Në fund të këtij takimi, presidenti Sarkozy u shpreh se së shpejti do të vizitoj vendin tonë dhe do të shoh nga afër ndryshimet e mëdha të Shqipërisë. Kryeministri Berisha u shpreh se e gëzonte së tepërmi ky lajm dhe veçoi faktin se presidenti Sarkozy do të jetë presidenti i parë francez, që viziton Shqipërinë dhe se do të pritet nga një popull që e do dhe e vlerëson.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›