E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kushtetuesja, rol për integrimin dhe vakumet ligjore në vend

08-06-2012 / Gazeta 55

20 vjetori i themelimit të Gjykatës Kushtetuese mbledh krerët më të lartë të shtetit

Drejtues të lartë të shtetit shqiptar u bashkuan dje në 20 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, ku vlerësuan kontributin e këtij institucioni të lartë kushtetues. Kështu, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha gjatë fjalës së tij përshëndetëse e cilësoi krijimin e Gjykatës Kushtetuese 20 vjet më parë, si një ngjarje madhore për vendin.
Sipas tij, Kushtetuesja pasqyroi zhvillimet politike, pasi kushtetutshmëria është shtylla kryesore e demokracisë.
Njëkohësisht, vlerësimin e Kryeministrit Berisha shteti ligjor është i konsoliduar në Shqipëri.
Gjithashtu, duke vlerësuar punën e deritanishme të këtij institucioni në plotësimin e vakumit në ligjin themeltar të shtetit, shefi i qeverisë vuri në dukje rëndësinë që ka roli i Gjykatës Kushtetuese në integrimin e vendit në BE.
“Përgëzoj plotësimin e vakumeve në Kushtetutën e vendit me arsyetimet dhe gjykimet tuaja, ku janë bërë zëvendësime të rëndësishme, pasi në Shqipëri vendimet e gjykatës kanë një rëndësi të veçantë, sidomos për integrimin e vendit. Uroj që roli juaj të vijë në rritje dhe kjo mund të realizohet duke pasur sensin kritik për veprimtarinë që keni krijuar”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri u shpreh se, pavarësisht nga vështirësitë, nga debatet, apo dritëhijet, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka përmbushur me dinjitet të plotë këtë rol dhe, pa rolin e saj, Shqipëria nuk do të mund të kishte një demokraci funksionuese. Roli i Gjykatës Kushtetuese, vijoi Kryeministri, vjen e bëhet gjithnjë e më i madh, për faktin se Shqipëria ka si aspiratë kryesore aspiratën e integrimit të vendit në Evropë dhe, në këtë proces ecet duke vendosur një univers të tërë ligjesh, normash, praktikash të domosdoshme, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë ato liri e të drejta që gëzojnë qytetarët evropianë.
“Në tërësi, pavarësisht nga vështirësitë, pavarësisht nga debatet, nga dritëhijet, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka përmbushur me dinjitet të plotë këtë rol dhe, pa rolin e saj, Shqipëria nuk do të mund të kishte një demokraci funksionuese. Në të gjithë këtë veprimtari, ju jeni përballur me presione të shumëllojta, me kufizime të ndryshme, por e vërteta është se sot shteti ligjor në Shqipëri, liritë themelore të të drejtave dhe qytetarëve, ndarja e pushteteve, janë më të konsoliduara se asnjëherë më parë. Në tërë këtë proces, roli i Gjykatës Kushtetuese ka qenë një rol i një rëndësie të veçantë. Roli i Gjykatës Kushtetuese vjen e bëhet gjithnjë e më i madh, për faktin se Shqipëria ka si aspiratë kryesore aspiratën e integrimit të vendit në Evropë. Në këtë proces ecet duke vendosur një univers të tërë ligjesh, normash, praktikash të domosdoshme, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë ato liri e të drejta që gëzojnë qytetarët evropianë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,  Nicolas Bratza, Presidenti i Komisionit të Venecias,  Gianni Buquicchio, Presidenti i Republikës  Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Gjykatës Kushtuese, Bashkim Dedja,  Klaus Fiesinger, Drejtor i Departamentit për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kaukazin dhe Azinë Qendrore, Fondacioni “Hanns Seidel”, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të strukturave të drejtësisë shqiptare e të huaj, etj. 

Topalli: Kushtetuesja, garante e demokracisë dhe udhërrëfyese për institucionet
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi nga ana e saj rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese, si garante e demokracisë. Gjatë Konferencës për 20 vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese Topalli tha se, “themelimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare, 20 vite më parë, do të vinte pas ndryshimit epokal të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Sipas saj, themelimi i kësaj gjykate, do të vinte pas shembjes të diktaturës më famëkeqe të kohës, prej së cilës në mes të Evropës, jeta, liria, nderi, dinjiteti human, prona dhe çdo vlerë tjetër njerëzore ose nuk ekzistonte, ose dhunohej në mënyrën më të pamëshirshme. “Në rrugëtimin e saj 20 vjeçar, Gjykata Kushtetuese nuk do të ishte ndryshe nga realiteti shqiptar dhe do të ecte përpara me dritë-hijet e saj. Ajo do të bëhej epiqendër e vëmendjes së opinionit publik, e debatit politik vendas dhe objekt i vëmendjes edhe përtej”, tha Topalli duke konstatuar se “autoriteti i kësaj gjykate, si shprehje thelbësore e pavarësisë dhe kompetencës së saj është rritur në mënyrë të dukshme, duke e kthyer atë në një institucion për garantimin dhe interpretimin e normave Kushtetuese”. “Tashmë është fakt i pamohueshëm që jurisprudenca e kësaj gjykate, ka ndikuar fuqimisht për zbatimin korrekt të Kushtetutës, si ligji suprem, si ligji më i lartë i shtetit, duke rritur më tej standardin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut”, deklaroi kryeparlamentarja.
Topalli tha se tre pushtetet kushtuese, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori dhe institucionet kushtetuese, në ushtrim të autoritetit të tyre, kanë gjetur në vendimet e kësaj gjykate një udhërrëfyes të mirë kushtetues ligjor për përmbushjen e misionit të tyre, në dobi të qytetarëve. “Kuvendi i Shqipërisë, ka konsideruar gjithmonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese si një korpus organik i normave kushtetuese të vendit tonë. Këto vendime kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe punës së ligjvënësve dhe të kontrollit parlamentar, si element thelbësor të performancës parlamentare. Jurisprudenca kushtetuese ka shërbyer si instrument i nevojshëm  për rregullimin e kooperimit ndërinstitucional dhe respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues si dhe nxitës për përmirësimin e mëtejshëm të jetës midis institucioneve”, tha ajo. “Zhvillimet e hovshme dhe të pakthyeshme institucionale, na bëjnë me besim të plotë se autoriteti dhe performanca e Gjykatës Kushtetuese shqiptare do të pësojnë rritje të mëtejshme dhe konsolidim edhe më të fortë. Jurisprudenca e saj, sigurisht që do të pasurohet në harmoni me traditën më të mirë kushtetuese të vendeve perëndimore duke ndihmuar thelbësisht në përsosjen e mëtejshme të organizmit dhe funksionimit të pushteteve dhe institucioneve të shtetit shqiptar, në dobi të respektimit të të drejtave të njeriut, në dobi të prosperitetit të jetës së qytetarëve shqiptar”- tha më tej kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›