Sot në orën 10, raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit

Kuvendi 71 vota “pro” dhe 58 kundër, rrëzohet propozimi i socialistëve për shtyrjen e seancës ditën e hënë
Parlamenti vendosi me dje 71 vota “pro”, 58 kundër dhe 1 abstenim që raundi i tretë i votimit për presidentin e ri të zhvillohet sot në orën 10:00. Pas mbylljes pa rezultat të raundit të dytë të votimit më 4 qershor në Kuvend, Konferenca e Kryetarëve, u mblodh dy ditë më parë për të caktuar datën e raundit të tretë.
Për shkak të mungesës së konsensusit për datën e raundit të ri, vendimi për këtë çështje iu la seancës parlamentare, e cila mes dy alternativave të paraqitura, datës 8 qershor, të kërkuar nga mazhoranca dhe 10 qershor, të propozuar nga opozita, miratoi të parën. Kuvendi ka konsumuar deri tani dy, nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërkohë që në konkurrimin për garën presidenciale nuk është paraqitur asnjë kandidat zyrtar.
Edhe ky raund votimi pritet të ezaurohet pa kandidatë, pasi opozita ende nuk është shprehur relativisht për kandidatura të mundshme nga radhët e saj, ndërsa lidhur me propozimin e mazhorancës është shprehur se s’mund të marrë konsensusin e pakicës parlamentare, për shkak të “njëanshmërisë”.
Në nisje të garës presidenciale në Kuvend më 30 maj, mazhoranca propozoi kandidaturën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Shumica parlamentare iu përgjigj detyrimeve kushtetuese të vendit, përmes vendimmarrjes konsensuale në tryezën e saj, por që përballë sindromës bllokuese të opozitës, s’mbetet gjë tjetër veçse të ezaurohet edhe ky raund (i fundit për nga konsensusi PD-PS), në pritje të dy raundeve të fundit, IV dhe V, ku presidenti zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.