E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Nano, apel PS-së: “Merrni vendime të drejta, mos rrezikoni statusin”

08-06-2012 / Gazeta 55

Fakti/Edi Rama nuk propozon kandidatë, se deputetët e tij duan Nanon

Lëvizja “Nano” ka mbështetës edhe në grupin parlamentar socialist. Vetëofrimi i Fatos Nanos si kandidat për presidentin e ardhshëm, ka vënë në lëvizje eksponentë të caktuar në grupin e PS-së.
Në fakt, bëhet fjalë për krisje të grupit të Partisë Socialiste, pasi siç dihet Nano ka mjaft simpatizantë brenda selisë rozë, edhe pas 7 vitesh largimi prej aty. Lideri historik i së majtës ka shprehur edhe zyrtarisht ambicien e tij, për të qenë një ndër kandidatët për president të Republikës, por nuk po merr mbështetjen politike të lidershipit socialist, Edi Rama. Dhe ky i fundit, pikërisht i druhet një krisje të grupit parlamentar prandaj edhe është tërhequr nga propozimi i emrave për garën presidenciale.
Ndërkaq, sërish dje ish-lideri historik i të majtës, Fatos Nano i ka bërë një tjetër thirrje deputetëve të Partisë Socialiste ta mbështesin kandidaturën e tij për President të Republikës duke nënvizuar se është në nderin e deputetëve të PS-së dhe në nderin e PS-së vetë e të drejtuesve të saj aktualë, që ta mbështesin kandidimin e Fatos Nanos si emrin konsensual. Nano e konsideron si një mundësi të madhe për PS-në që e ka pranë saj, pjesë të historisë së saj, në traditën e saj ofertën më të mirë për Presidentin më të mirë. Kështu thuhet në deklaratën më të fundit të shpërndarë nga Lëvizja “Nano për President”, e cila bën thirrje që palët të tejkalojnë ngërçin dhe të mos rrezikojnë për të tretin vit rresht, marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë brenda vitit të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Fatos Nano i shpreh mirënjohjen e thellë Stefano Saninos, të dërguarit të Komisionerit, Stefan Fule në Shqipëri, për misionin e tij moderator në vendin tonë e për përpjekjet dhe inkurajimin që ai ka bërë për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së Presidentit.
Lëvizja “Nano për President” thekson se Partia Socialiste prej javësh nëpërmjet Kryetarit Rama, ka adoptuar qëndrimin për një proces amorf, nëpërmjet të cilit do të shkohet tek një kandidat konsensual.
“Fatos Nano tërheq vëmendjen se Kryetari i Partisë Socialiste, Lideri i Opozitës, nuk mundet të mos kuptojë se ka ditë, ka momente kur  vendi, shoqëria shqiptare, kombi, janë më të rëndësishëm sesa Partia, sesa cilado parti. Sot Shqipëria ka nevojë për një President dinjitoz, për Presidentin më të mirë. Opozita nuk mundet të heqë dorë nga mundësia e saj për ti dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë. Opozita nuk mundet të mos jetë në përpjekje të pashtershme dhe qëllim larta për të hapur mundësitë e garës së lirë, duke siguruar krahasueshmërinë dhe konkurrimin e vlerave e personaliteteve më të mira që ka PS dhe vendi. Opozita nuk mund të mjaftohet me një proces që prodhon vetëm konsensus kryetarësh, por aspak Presidentin më të mirë për shqiptarët”, deklaron Lëvizja “Nano për President.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›