E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse e ndërroi Rama ditën e editorialit?

08-06-2012 / Nga Artur Bego

Vijon shantazhin dhe nevoja ishte që ai të publikohej për të përhapur panik ditën kur kryhet votimi i tretë në Kuvend

Befasues ka qenë mbrëmë shpërndarja on-line e editorialit të Edi Ramës.
Befasia ka qenë për ditën e zgjedhur prej tij. Ndërsa ishim mësuar që këtë “fat” ta kishim çdo të shtunë, dje (të enjten) ai “e prishi traditën” dhe lëshoi “shashkën” e radhës.
Befasia e parë ka kaluar shpejt pasi u mësua përmbajta e editorialit. Pikërisht, ishte kjo përmbajtje, saktësisht nevoja për përcjelljen e mesazheve kërcënuese të përsëritura, që detyruan Edi Ramën të “prishte traditën”. Një ditë para raundit të tretë dhe të fundit, për rënien dakord për një president me 84 vota, Edi Rama zgjedh të përsërisë kërcënimin e tij për peng-mbajtjen e statusit të vendit kandidat, duke e (keq)përdorur mosdhënien e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
Nën pretekstin se “kjo kandidaturë është e njëanshme…, me më shumë se një cen edhe në vetvete”, duke mos arritur të rendisë “më shumë” se dy cene, ato që tashmë “analistët” e tij mediatikë amplifikojnë për çdo ditë në media, (votimin në 11 raste nga 13 kundër PS në Gjykatën Kushtetuese, apo edhe qëndrimi ende si anëtar i Gjykatës Kushtetuese jashtë mandatit), Edi Rama kishte harruar një “cen të tretë” (të evidentuar edhe nga “analistët” e tij mediatikë), atë që “Xhezair Zaganjori është nga veriu”…, por nuk harroi të artikulonte paralajmërimin se po u zgjodh një president nga mazhoranca, do të behet kiameti.
Dje, kiametin e mundshëm në ardhje, ai nuk linte mundësi për ta menduar, por e shprehu hapur, se nuk do të japë konsensusin për përmbylljen e 12 rekomandimeve të BE-së, për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë këtë vjeshtë.
“Ky (zgjedhja e presidentit me 71 vota) do të jetë një minus i rëndë më shumë për verdiktin e 12 tetorit dhe një arsye thuajse e pakapërcyeshme për Familjen Europiane ku duam të hyjmë për të mos na e dhënë statusin”, shprehej dje në ligjëratë të drejtë në editorialin e tij jashtë radhe por kërcënues, Edi Rama.
Në mënyrë të përsëritur kreu i PS-së Edi Rama tenton të gjejë e të ngjizë një pikë-lidhje, apo pikë-takimi mes 12 rekomandimeve të BE-së, në këmbim të statusit të vendit kandidat dhe “rekomandimit” të tij të 13, për zgjedhjen e një presidenti konsensual..., por sipas standardeve të tij…, standarde që as nuk mbështesin kandidatin e mazhorancës, por as nuk paraqesin ndonjë kandidat të vetin.
Në fakt kjo pikë-lidhje, apo pikë-ngjizje, ekziston…, por vetëm në mendjen e Edi Ramës. I ndërgjegjshëm se me kundërshtimet e tij “as…, as”, ai nuk mund ta ndalojë zgjedhjen e presidentit, Edi Rama po aq i ndërgjegjshëm është se mund të frenojë përmbushjen e pjesës së mbetur të 12 rekomandimeve, për shkak të mos dhënies së dakordësisë së tij, që më pak se 1/10 e deputetëve socialistë të plotësojnë “kuorumin” e nevojshëm për votimin e rekomandimeve të BE-së, që kërkojnë votim me 3/5.
Kjo është edhe arma më “e fortë” e Edi Ramës…, peng-mbajtja e statusit të vendit kandidat me mosdhënien e më pak se 10 votave për plotësimin e 12 rekomandimeve.
Ky është edhe qëllimi i vërtetë i tij, pavarësisht se “(mos)konsensusin” për zgjedhjen e presidentit e përdor thjesht dhe vetëm për të justifikuar post-zgjedhjes së tij (presidentit), “politikën e re” të tij, të peng-mbajtjes së statusit të vendit kandidat. E ka bërë këtë edhe me anëtarësimin në NATO edhe me liberalizmin e vizave… Pse të mos e bëjë sërish, për aq kohë sa nuk di të bëjë ndonjë gjë më ndryshe…, sigurisht edhe për më mirë për Shqipërinë.
Ndaj edhe editoriali i djeshëm, jashtë radhe i Edi Ramës, nuk mund të mos lexohej e kuptohej si një mesazh  vijues shantazhues, si nevojë e tij që ai editorial të publikohej për të përhapur panik ditën kur kryhet votimi i tretë në Kuvend..., sikurse nuk mund të mos lexohet e kuptohet edhe si një “njoftim për shtyp” (i munguar) për takimin e tij me Stefano Saninnon, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›