E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Kandidati i mazhorancës ka gjetur konsensus të përgjithshëm

08-06-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së takon drejtorin për Zgjerimin në BE: Opozita të japë emra

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin Stefano Sannino, ka zhvilluar një vizitë në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku u takua me kreun e kësaj force politike, Ilir Meta. Edhe në këtë takim, zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës, ka qenë në qendër të diskutimeve. Po ashtu, Saninno dhe kreu i LSI-së  Meta, kanë biseduar edhe mbi ecurinë e përmbushjes së 12 rekomandimeve që Komisioni Europian i ka dhënë politikës shqiptare, në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat. Ndërkohë që ishte vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta ai i cili pas përfundimit të takimit, bëri me dije se biseda me Sanninon ishte fokusuar tek integrimi.
Sipas tij, kërkesa që vjen nga BE lidhte pikërisht me realizimin e tre reformave, të rëndësishme për ecjen në mënyrë të shpejtë drejt integrimit të vendit. Po kështu, kreu i LSI-së konfirmoi se gjatë bisedës me Saninon u diskutua dhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit, ku emri i kreut të ri të shtetit duhet të dalë pas një procesi të gjerë konsultimesh. Madje, në këtë kontekst, kreu Meta bëri me dije se gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin u diskutua dhe me faktin se opozita duhet të japë emrat e saj për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha gjithashtu se, kandidatura konsensuale e mazhorancës plotëson kriteret për konsensus, për vetë faktin se emri gjeti mbështetje të gjerë.

A mund të na thoni  se cili ishte mendimi i  Sannino për ecurinë e procesit të zgjedhjes së Presidentit?
Unë mendoj se prononcimi i  Fule, Komisionerit për Zgjerimin, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka qenë shumë i qartë dhe mendoj që është vepruar përgjithësisht në atë frymë, pra për të pasur një proces sa më të hapur, një proces përmes dialogut, përmes diskutimeve dhe përmes negociatave, gjithnjë duke u bazuar në Kushtetutë.

Sa mendoni se do të avancohet në këto negociata për raundin e tretë apo edhe në vazhdim duke pasur parasysh që mazhoranca tashmë e ka një kandidat?
Unë besoj se kandidaturat që mazhoranca ka propozuar i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një kandidaturë konsensuale për të gjitha arsyet që i kemi theksuar edhe më parë. Pra, nuk është një figurë politike që mund të krijonte ndarje. Së dyti është një figurë që në të kaluarën, për pozitën në të cilën ai ndodhet, është votuar nga të dyja krahët në Parlament përveç edhe cilësive të tjera që kanë të bëjnë me begraundin e tij profesional dhe karrierën. Natyrisht që është e rëndësishme të ecet në këtë drejtim ashtu sikurse opozitës i është krijuar mundësia, hapësira për të bërë dhe ajo propozimet e saj, në mënyrë që edhe mazhoranca të ketë mundësinë të bëjë gjykime të tjera. Natyrisht që mazhoranca kur ka përzgjedhur këtë kandidaturë e ka përzgjedhur midis shumë kandidaturave të tjera dhe ka qenë e bindur për të gjitha këto cilësi të cilat ofrojnë një konsensus.

Do të jetë kandidat i mazhorancës edhe në raundin e katërt Zaganjori?
Unë e theksova që qëllimi ka qenë dhe mbetet konsensusi politik, por në çdo rast edhe konsensusi publik, pra edhe raporti me qytetarin, raporti me opinionin publik. Unë mendoj se  Zaganjori edhe nëse nuk arrin të parën, jo për përgjegjësinë e tij, të dytën e arrin, pra emri i tij ka gjetur një konsensus të përgjithshëm.

Kemi dëgjuar dje Nanon i cili ka thënë se emri i tij ka mbetur pingpong mes jush dhe  Rama. Cila është e vërteta e kandidaturës së  Nano dhe a mund ta konsideroni ju atë si kandidat nëse vjen si kandidaturë nga Partia Socialiste?
Unë jam i pasionuar pas pingpongut dhe Nano, që ta dini ju, gjithashtu luan shumë mirë pingpong. Lidhur me kandidaturën e tij unë kam bërë vlerësimet e mia publike pas takimit që kam bërë me të bashkë me  Luan Rama ku kemi dëgjuar me shumë vëmendje. Natyrisht që ai ka kontribuar në të gjithë këtë proces, për ta bërë atë sa më publik, edhe të debatueshëm. Kjo është pozitive. Por unë kam theksuar gjithmonë se LSI do t’i qëndrojë marrëveshjeve. Sikurse e dini, LSI ka një marrëveshje që në shtator të vitit 2009 edhe për çështjen e Presidentit, për të realizuar në radhë të parë një konsensus me Partinë Demokratike. Kështu që, në këtë drejtim, LSI-ja i qëndron kësaj marrëveshjeje pavarësisht nga vlerësimet e saj për kandidatura të tjera.

Sa e dëmshme do të jetë për proceset integruese të Shqipërisë nëse Parlamenti do të votojë për një President jo konsensual pasi siç ju përmendët edhe komisioneri Fule ka folur për një kandidaturë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale?
Vështirë të gjesh një kandidat tjetër të cilin në karrierën e tij ta kenë votuar në Parlament të dyja palët. Kështu që, me pak përpjekje, nuk ka asnjë arsye për të mos arritur konsensusin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›