Berisha: “Do e përmbyllim sa më shpejt stadin final të reformave që nga kërkon BE-ja”
Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian zotin Stefano Sannino
Kryeministri Sali Berisha e siguroi drejtorin e përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino se procesi i përzgjedhjes së presidentit është i bazuar në negociata dhe konsultime dhe në përputhje të plotë me germën dhe frymën e Kushtetutës.
Gjatë një takimi të zhvilluar dje në Tiranë, kryeministri Berisha vlerësoi angazhimin e Komisionit dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në ndihmën që i jep Shqipërisë për çuarjen përpara të reformave të nevojshme për integrimin evropian. Në përgjigje të interesit të Sannino për vazhdimësinë e këtyre reformave, kryeministri Berisha e siguroi atë për angazhimin e plotë të mazhorancës për përmbylljen e tyre sa më shpejt në përputhje me rekomandimet dhe prioritetet që Shqipëria ka në procesin e integrimit.
Ndërkaq, në takim u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri Berisha theksoi, se në respekt të angazhimit të tij të bërë publik prej kohësh, procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me germën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime.
Ai shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik.
Ndërsa në takimin me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Sannino vlerësoi ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit për adresimin e 12 prioriteve të Opinionit të Komisionit Europian. Gjatë takimit u diskutua për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, raportin mujor të Shqipërisë mbi zbatimin e Planit të Veprimit dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm konsultativ me Komisionin Europian lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto i shprehu dje drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Sanino se procesi i integrimit duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, dhe që palët të dalin mbi interesat partiake.
Ministri vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve evropiane, dhe falenderoi Sannino për përpjekjet e tij personale për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ecja përpara e reformave të nisura është e domosdoshme me qëllim që klima pozitive e krijuar pas Këshillit të Stabilizim Asociimit më 15 maj të kapitalizohet me marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.